Sot protesta e opozitës ka hyrë në ditën e gjashtë të saj. Prej gjashtë ditësh çadra e opozitës vijon të qëndrojë e ngritur përpara Kryeministrisë.
Ndryshe nga ditët e tjera, sot pritet që të ketë zhvillime të reja në çadër nisur edhe nga deklarata e mbrëmshme e kryetarit të PD-së, Lulzim Basha.
Basha paralajmëroi se pas vendimit të bojkotit të Kuvendit, punimet do të zhvillohen në “Çadrën e Lirisë”. Kreu i demokratëve ftoi të gjithë deputetët e Kuvendit, përfshirë dhe të majtët që t’i bashkohen çadrës.
“Në këtë tendë, do të nisë punimet Parlamenti i ri shqiptar. Nga kjo tendë, ftoj çdo deputet jo të lidhur me krimin, pa rekorde kriminale, që të vijë në këtë aulë të vërtetë të demokracisë, ky është parlamenti shqiptar, thuhet ne deklaraten e kreut te PD-së”, u shpreh dje Basha.
Ai tha se çadra mirëpret çdo deputet të majtë që nuk është i lidhur me krimin, që nuk i ka borxh këtij populli. Ai tha se të vetmit që nuk janë të ftuar në këtë tendë janë 19 deputetët me rekordet kriminale. (XH.A/SHUPLAKA)