Mijëra demonstrues u mblodhën në Sofje, kryeqytetin e Bullgarisë për të kundërshtuar anëtarësimin e vendit në eurozonë. Duke valëvitur flamuj bullgarë dhe me pankarta ku shkruhej “Larg duart nga monedha jonë!”, protestuesit iu bashkuan thirrjes së partisë Ringjallja të ekstremit të djathtë.
Protesta u përshkallëzua edhe brenda sallës së Parlamentit. Deputetët e Ringjalljes bllokuan podiumin. Njëri prej tyre Tsoncho Ganev, i cili është në udhëheqjen e partisë shtyu deputetin e partisë “Vazhdojmë Ndryshimin”, Yavor Bozhankov, në sallën plenare.
Ligjvënësit u përplasën gjatë seancës parlamentare, pasi Komisioni Europian miratoi hyrjen e vendit në eurozonë.
Komisioni Europian dhe Banka Qendrore Europiane i ndezën dritën e gjelbër Bullgarisë për të adoptuar monedhën euro nga fillimi i vitit 2026, duke e bërë Bullgarinë vendin e 21-të të eurozonës.
Në një “raport konvergjence” që përshkruan se si ekonomia përputhet me pjesën tjetër të eurozonës, Komisioni tha se Bullgaria përmbushi kriteret formale të nevojshme për të adoptuar monedhën që tani përdoret nga 347 milionë europianë në 20 vende.
Bullgaria është përpjekur të kalojë në euro që në vitin 2007 kur u anëtarësua në Bashkimin Europian. Por pas një pritjeje kaq të gjatë, shumë bullgarë kanë humbur entuziazmin fillestar dhe 50% e popullsisë tani është skeptike ndaj euros, sipas një sondazhi të Eurobarometrit në maj. Disa bullgarë druhen se ndryshimi i monedhës do të rrisë çmimet.