Biznesi i vogël uli sot qepenët për një orë duke kundërshtuar përfshirjen në skemën e TVSH. Ata paralajmëruan se do të vijojnë që të kundërshtojnë vendimin e qeverisë, pasi po i dërgon drejt falimentit, por deputeti i PS, Erjon Braçe që është njëherësh edhe kryetar i Komisionit të Ekonomisë shpjegoi në Report Tv se nuk ka TVSH për biznesin e vogël.
Braçe deklaroi se përfshirja në skemën e TVSH për bizneset me xhiro 2 milionë lekë bëhet për të kontrolluar grosistët e mëdhenj të cilët bëjnë evazion fiskal duke iu shmangur taksave. Braçe u shpreh se janë mijëra biznese të vogla, të krijuara nga këto të mëdhenjtë për të shmangur TVSH-në. Ashtu si për tarifën për Rrugën e Kombit, Braçe fajësoi qeverinë dhe administratën tatimore se përse nuk iu shpjegoi bizneseve nismën dhe faktin që nuk preken, sipas tij.
“Masa synon formalizimin e transaksioneve në treg. Na duhet aleanca me biznesin e vogël, për të kontrolluar grosistët e mëdhenj. Në këtë rast mungon komunikimi i qeverisë. E gjithë administrata fiskale, që nga dhjetori që morëm këtë masë për të formalizuar ekonominë duhet të kishin trokitur në cdo dyqan me letër në dorë për të treguar se cili do të ishte efekti. Këtë ia kam thënë kryeministrit dhe ministrit të Financave”, tha ai. (B.H/Faxweb)