Enriko Peçulaj është një nga studentët protestues para Ministrisë së Arsimit që kërkon plotësimin e kërkesave të parashtruara për Ministrinë e Arsimit.
I ftuar në ‘Fax News’ Peçulaj u shpreh se nuk është e qartë se si do organizohen ditën e nesërme, por theksoi se pavarësisht nëse do të protestohet nesër, apo gjatë fundjavës, ky vrull studentësh nuk mund të thyhet pa u plotësuar kërkesat e tyre.
“Për ditën e nesërme gjërat nuk janë edhe aq të qarta, e mira ishte që të pritej dita e hënë se shumica e studentëve që vijnë nga rrethet do kthehen në shtëpitë e tyre. E mira do të ishte që ditën e martë të organizoheshim edhe më fuqishëm.
Një pjesë e mirë e studentëve janë larguar, nuk besoj se është kjo gjëja më e rëndësishme, nuk ka shumë rëndësi si do organizohemi, por kjo protestë nuk do ndalet”, u shpreh ai.
I pyetur për kërkesat e parashtruara ndaj Ministrisë së Arsimit dhe nëse do të kishte të tjera shtesë, studenti u shpreh se tani për tani është mirë t’u mshohet këtyre që janë parashtruar.
Sipas tij Ministria e Arsimit e ka humbur kontaktin me studentët që kur miratoi ligjin për Arsimin e Lartë dhe tashmë e vetmja mënyrë është protesta.
“Tani për tani besoj se duhet t’u mshojmë më shumë këtyre pikave, kërkesa e uljes së tarifave, është një nga pikat thelbësore që e prek në thelb edhe ligjin për Arsimin e Lartë. Ligji për Arsimin e Lartë është ai që i sjell të gjitha këto pasoja që janë dytësore.
Që në fillim gjuha e tyre është “ne do bëjmë këtë, do bëjmë atë, kjo gjuhë është përdorur gjithmonë, vetëm premtime boshe, ne kërkojmë gjëra konkrete.
Ne duam gjëra konkrete. Pika e panegociueshme është ulja e tarifave. Unë vij nga fakulteti i Shkencave Sociale, fakulteti im ka tarifën më të lartë, 400 mijë lek të vjetra në vit.
Që prej ligjit për Arsimin e Lartë kjo qeveri e ka humbur mundësinë për dialog. E vetmja marrëdhënie me këto është ajo ekonomike, nëse ke xhepin plot. Ne s’kemi pse negociojmë, aty janë kërkesat, le ti plotësojnë. Ligjin e Arsimit të lartë e ka miratuar me pronarët e universiteteve private dhe tani duan të na marrin paratë neve ”, deklaroi Peçulaj.
Referuar qëndrimit të studentëve për të mos pranuar përfshirjen e politikës, ai tha se ky vendim është marrë për shkak të frikës se kauza e tyre mund të shfrytëzohet për qëllime të tjera nga ato për të cilat janë ngritur studentët. Gjithashtu ai foli edhe mbi mënyrën se si mund të përshkallëzohet protesta, ku theksoi se ka zëra të ndryshëm.
“Nuk kemi pranuar se mund të tentohet të kapet dhe të përdoret për kapital politik, të gjitha partitë e bëjnë .
Aty ka lloj-lloj zërash, disa thonë grevë urie, ca hedhin vezë, por një nga opsionet është edhe duke krijuar bllokadë, të qënrojmë aty. Nëse nuk na i plotësojnë kërkesat s’besoj se është e thjeshtë që gjithë ato studentë ti shpërndash. Dje ishte një fitore e vogël, VKM-ja ishte pasojë e gjithë problemeve që po shafqen në arsim”, theksoi studenti i fakultetit të Shkencave Sociale. (B.H/Faxweb)