Protesta e studentëve vijon, ndërsa tashmë ata veç bojkotit janë ngujuar në fakultetet përkatëse.
Në mbështetje të tyre kanë dalë edhe pedagogët, të cilët i konsiderojnë kërkesat e tyre si të drejta minimale dhe themelore.
Pedagogët e Universitetit të Tiranës kanë paralajmëruar një asamble të premten, me pjesëmarrës nga të gjitha Fakultetet.
Grupi organizator i akademikëve me përfaqësues nga Fakulteti Histori-Filologji, Fakulteti i Shkencave të Natyrës dhe Fakulteti i Shkencave Sociale i bëjnë thirrje për pjesëmarrje në këtë takim, gjithë pedagogëve të UT-së, ndërsa mbledhja pritet të zhvillohet në orën 10:00.
“Të premten, datë 25 janar 2019, në ora 10.00, në sallën e madhe të godinës LIRIA, mbahet takimi i parë i përgjithshëm mes asambleve të fakulteteve të Universitetit të Tiranës, Ky takim i përgjigjet situatës së krijuar në arsimin e lartë dhe propozimit të mbledhjeve të deritanishme të asambleve për takim mes asamblesh.
Synimi është të dilet me një zë të përbashkët për Universitetin e Tiranës, në raport me situatën e krijuar dhe hapat në vazhdim. Ftohen të gjithë pedagogët e UT të marrin pjesë. Pjesëmarrja individuale e çdo pedagogu është vendimtare për të ardhmen e UT”, thuhet në deklaratën e grupit organizator.
(B.B/ Faxweb.al)