Ministrja e Marrëdhënieve me Parlamentin, Elisa Spiropali e ftuar në emisionin “Tempora” ku ka folur në lidhje me protestat e opozitës. Ndërsa u shpreh se mazhoranca vepron me ngadalë në ekzekutimin e vendimeve Spiropali nuk nguroi t’jua linte përgjegjësinë deputetëve të opozitës për trazirat që ndodhin, duke theksuar se Policia e Shtetit po shunohet nga deputetë me “Range Rover” që vijnë i godasin edhe më pas ikin.
Spiropali: Ne i marrim pak ngadalë veprimet, mendoj se duhet të kishim vepruar më shpejtë. Unë besoj se për ata që bllokojnë rrugët duhet të kishim vepruar më shpëjtë. Sepse nuk mundet që ne të shohim të njëjtat skena të dhunës njerëz që dhunojnë policët dhe policinë e shtetit, të cilët kryejnë një funksion për mbrojtjen e sigurisë qytetare dhe paguhen me një rrogë modeste dhe detyrohen që të durojnë deputetë që vijnë me Range Rover dhe godasin policët dhe ikin në punë të tyre, ose nxisin njerëz të tjetër që të godasin Policinë e Shtetit.
Ndërkohë që më herët ministrja ia la ‘fajin’ ish-deputetëve të opozitës për arrestimin e qytetarëve në këto protesta duke u shprehur shqetësimin e saj se opozita po “i përdor qytetarët si mish për top”.
Spiropali: Unë nuk mund të marr përsipër ti di të gjitha cfarë është përdorur aty. Ata që kanë marrë përsipër ti dinë të gjitha dhe ti bëjnë të gjitha në këtë rast duhet të përballen edhe me pasoja. Protestat që këta njerëz, se nuk mund ti quaj më as drejtues politikë se kanë dalë në rrugë, flas për liderat e këtyre partive gjuha me të cilën i flasin publikut është vepër penale në vetëvete. Duhet ta dini. Nxitja e urrejtjes, dhunës, sulmi ndaj institucioneve, sulmi ndaj deputetëve. Ne jemi deputetë të Kuvendit dhe ju them që në protestat që opozita ka organizuar para Kuvendit ne kemi qenë të rrezikuar.
Meço: Qytetarët janë bombarduar me gaz lotsjellës.
Spiropali: Jam e shqetësuar për ata qytetarë që i përdorin si mish për top. Pamjet e tyre janë për të ardhur keq. Sot para dyerve të prokurorive janë ata njerëz që janë të përdorur nga kryetarët e partive. Këta po të ishin aq qytetarët të lirë të këtij vendi të shkonin ti digjinin vet dhe ti nxirrnin vet nga institucionet. Këta nxisin njerëz, këta i marrin në qafë dhe këta i çojnë në burg.