Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, përmes një konference me gazetarët, ka komentuar protestat e mazhorancës dhe opozitës para Prokurorisë së Posaçme.
Sipas Tabakut, “të çosh zyrtarë të paguar të administratës të protestojnë para një institucioni të pavarur të drejtësisë është e papranueshme”, ndërsa e cilësoi grusht shteti.
Tabaku tha se protesta për arrestimin e kryebashkiakut Veliaj nuk mund të krahasohet me ato të PD-së para SPAK, me argumentin se “njerëz të lirë shkojnë atje, pa prekur me dorë as gardhin e ndërtesës, kundrejt një bande të paguar që sulmon një institucion”.
Tabaku: Ne kemi ngritur shqetësimin mbi presionin politik që ushtrohet mbi drejtësinë. Është një shqetësim që reflektohet edhe në progres raport. Kemi ngritur shqetësimin e një analize të plotë, ka qenë qëndrim publik dhe zyrtar. Janë çështje që ditët në do të diskutohen në vijim.
Ajo që ka ndodhur javën e fundit, me protestën e qeverisë ndaj një institucioni, nuk ka ndodhur ndonjëherë në Shqipëri. Unë e kam quajtur grusht shtetit. Të çosh zyrtarë të paguar të administratës të protestojnë para një institucioni të pavarur të drejtësisë, të sulmojnë, të intimidojnë dhe të atakojnë… po përdor fjalët që ka përdorur GJKKO dhe SPAK, kjo për mua është e papranueshme.
Është e vërtetë, edhe PD i ka ngritur shqetësimet e veta. Ka bërë protesta, por janë dy gjëra të pakrahasueshme. Disa njerëz të lirë shkojnë atje, pa prekur me dorë as gardhin e ndërtesës, kundrejt një bande të paguar që sulmon një institucion.
Qëndrimi që ne kemi mbajtur, ka qenë i qartë. Ka nevojë që reforma në drejtësi të ketë një mendim nga Komisioni i Venecias, për zbatimin e saj dhe ka nevojë të shohim çështjet qe kanë krijuar problematikë dhe ngërç. Sa vite duhen sot për një çështje civile? 15 vite. Sa vite duhet për një çështje penale? Sa është stoku i dosjeve? Janë disa elementë që ne i kemi ngritur në mënyrë të vazhdueshme.