Policia e Shtetit ka reaguar me anë të një deklarate zyrtare sa i takon protestës që u mbajt ditën e sotme kundër rritjes së çmimeve ku pati edhe disa qytetarë të arrestuar me pretendimin se kishin bllokuar qarkullimin e automjeteve.
Në deklaratën e bërë, policia sqaron se kushdo që kryen akte të paligjshme dhe që përfshihen në akte dhune do të përballen me procedime penale.
Njoftimi i Plotë nga Policia e Shtetit
Nisur nga situata e krijuar sot, në disa rrugë, në të cilat pati bllokime të lëvizjes së lirë të automjeteve dhe të qytetarëve, si dhe kundërshtime ndaj punonjësve të Policisë që ishin në detyrë për të siguruar rendin e qetësinë, si dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve, bëjmë me dije se:
Policia e Shtetit është në gatishmëri të plotë për sigurimin e rendit dhe të qetësisë dhe në mbrojtje të çdo qytetari i cili proteston në mënyrë paqësore, pa cenuar të drejtat dhe liritë e të tjerëve.
Njëkohësisht, Policia e Shtetit, ashtu sikurse është e angazhuar për të mbrojtur të drejtat dhe liritë e qytetarëve, është e vendosur të marrë masa ndaj çdo paligjshmërie dhe të procedojë penalisht çdo person që kryen akte në dëm të qytetarëve apo të lëvizjes së lirë të tyre, siç ishte dhe rasti i sotëm i bllokimit të disa rrugëve.
Policia e Shtetit u bën thirrje të gjithë qytetarëve që të mos përfshihen në akte dhune dhe paligjshmëri, në çfarëdolloj forme të shfaqjes së saj, sepse do të përballen me forcën e ligjit.