Kryeministri Edi Rama foli sot edhe për protestat e opozitës te bashkia e Tiranës, duke thënë se bllokimi i rrugëve është kthyer në modë nga një grusht njerëzish. Në një bashkëbisedim me qytetarët në rrjetet sociale në rubrikën “Sy m’sy”, kreu i qeverisë u pyet nga një qytetar edhe për protestat te bashkia e Tiranës dhe për shqetësimin e bllokimit të rrugëve.
“Çfarë të të them Ardjan, ke shumë të drejtë, por është bërë pak si modë këtu, del një grusht njerëzish, zë rrugën dhe pastaj të tjerët duhet të presin që ata të shpërndahen”, u përgjigj Rama.
“Por, çfarë t’i bëjmë tani, jua thashë, janë bërë si “hudhër” aty tek bashkia e Tiranës dhe bëjnë punën e hudhrës, a më kupton?! Nuk di më ç’të të them tjetër”, tha Rama.
“Njerëz që merren me muret, iu bien mureve, i bien karrigeve, i bien tavolinave, çfarë është kjo, opozitë është kjo? S’ka lidhje me idetë, s’ka lidhje me programet, s’ka lidhje me të ardhmen, s’ka lidhje me alternativat, është kuak-kuak-kuak”, u shpreh Rama.