Bashkia e Elbasanit ka reaguar pas protestës së banorëve për mbylljen e shkollës në Mëngël që solli dhe protestën e prindërve të fëmijëve.
Sipas bashkisë shkolla po rikonstruktohet pasi bashkia nuk mund të lejojë që në të të futen mxënësit pasi u rrezikohet jeta.
“Bashkia e Elbasanit është e vendosur të bëjë rikonstruksionin e plotë të shkollës, si detyrë dhe kompetencë e saj, ndërkohë nuk tërhiqet nga vendimi për të mos lejuar futjen e nxënësve, për sa kohë godina është e rrezikshme”, njofton bashkia.
Reagimi:
Një nga përgjegjësitë tona më të mëdha, si pushtet vendor, është ajo që kemi ndaj fëmijëve, shëndetit dhe jetës së tyre. Kjo bën që ne, në punën tonë të mos kemi reagime emocionale, aq më pak vendime të tilla. Shkolla 9 vjeçare e Menglit do të hapet vetëm pasi të jetë rikonstruktuar dhe të mos përbëjë rrezik për fëmijët. Sepse ky është gjykimi i specialistëve dhe gjykimi i tyre është më i rëndësishëm se çdo gjykim politik. Procesverbali bashkëngjitur, tregon gjendjen aktuale të shkollës, por edhe në rast se rreziku do ishte vetëm 1%, vendimi ynë do ishte i njëjtë, në mbrojtje të fëmijëve.
Të nderuar prindër, shëndeti dhe jeta e fëmijëve tuaj, duhet të ishte çështje parësore për ju. Çdo ndikim i jashtem politik, do të ishte i justifikuar, përveç këtij rasti, ku bëhet fjalë për jetën e fëmijëve tuaj.
Të nderuar prindër, duke ju përkrahur në të drejtën tuaj për të protestuar dhe për të shprehur mendimin tuaj, nuk mund t’u përkrahim në një akt të ndëshkueshëm si ai i sotmi, ku ju, me vetëdije të plotë keni dëmtuar një pronë publike, duke shqyer dyert e shkollës.
Bashkia e Elbasanit është e vendosur të bëjë rikonstruksionin e plotë të shkollës, si detyrë dhe kompetencë e saj, ndërkohë nuk tërhiqet nga vendimi për të mos lejuar futjen e nxënësve, për sa kohë godina është e rrezikshme.
Prindër, mos pengoni shkollimin e fëmijëve tuaj, mos u ndikoni nga politika.