Paqja rurale e fshatit Gryksh i Madh në Njësinë Administrative Pajovë në bashkinë e Peqinit është tronditur nga një protestë masive e disa qindra banorëve të cilët kanë ngritur zërin për të drejtat e tyre të mohuara nga zbatimi i projektit të autostradës që kalon mes për mes fshatit.
Rreth 1500 banorë të këtij komuniteti që përbëhet nga 350 familje kanë dalë në rrugë për të kërkuar ndërtimin e një nënkalimi në vendin ku kalon segmenti i autostradës Lekaj–Peqin–Elbasan, si dhe për të shprehur indinjatën ndaj mungesës së transparencës dhe shpërfilljes nga autoritetet dhe kompania zbatuese e projektit.
“Nuk kemi më asnjë besim. Asnjë forcë politike nuk na përfaqëson. Nuk kemi më dëshirë të shkojmë as në qendrën e votimit,” u shprehën disa nga protestuesit, duke theksuar se ndihen të tradhtuar dhe të shkatërruar ekonomikisht.”
Në përfundim të protestës, banorët paralajmëruan se, nëse nuk merren masa konkrete dhe të shpejta për adresimin e kërkesave të tyre legjitime, ata do të përshkallëzojnë më tej aksionet qytetare dhe nuk përjashtojnë as bojkotin e plotë të institucioneve vendore dhe qëndrore.