Burime pranë Këshillit Bashkiak të Kukësit, i cili është pozicionuar që në fillim kundër pagesës së tarifës, bëjnë të ditur për Fax News se më datën 13 shtator pritet të ketë një mbledhje të këtij organi vendimarrës të pushtetit lokal.
Po sipas të njëjtave burime, në këtë mbledhje pritet që të diskutohet rreth qëndrimeve që këshilltarët bashkiakë do të mbajnë përballë pagesës së tarifës, ndërsa gjatë këtyre ditëve disa këshilltarë do të kenë takime me komunitetin.
Ky i fundit, duket se nuk është dakord as me vlerën prej 100 lekësh, për të paguar në sportelet e kompanisë koncensionare. Në një postim në rrjetin social “Facebook”, u bëhet thirrje kuksianëve që të bashkohen sërish me 17 shtator datë kur do të nisë që të aplikohet tarifa për rrugën e Kombit, që të protestojnë përpara tollit, vendit ku janë vendosur sportelet e pagesës së kësaj tarife.
Në njoftimin e publikuar në një faqe në Facebook, thuhet, se protesta kundër pagesës së tarifës në rrugë do të nisë në orën 08:00 të mëngjesit, por deri tani grupi negociator, i ngritur për kundërshtimin e tarifimit që organizoi dhe protestën e 31 marsit, nuk ka një vendim konkret se çfarë do të bëhet, pa u konsultuar me komunitetin.
Burime pranë këtij grupi, bëjnë të ditur për Fax News se dikutimet kanë nisur me qytetarët dhe anëtarët e Këshillit Bashkiak, por ende nuk është marë vendim, nëse do të ketë reagim përmes protestave apo jo.
Discussion about this post