Nga Armand Shkullaku
Lulzim Bashës i kanë mbetur shumë pak orë për provimin e fundit që duhet të japë përpara shqiptarëve, prezantimin e listave të deputetëve të Partisë Demokratike për në Kuvendin e ri. Zhvillimet e fundit politike, të cilat vetë Basha i orientoi, e kanë zhvendosur atë në një sfidë jo aq me kundërshtarin historik se sa me opinionin publik. Gjykimi i emrave të PD nga ky opinion do të jetë ndoshta përcaktues për rezultatin elektoral të 25 qershorit.
I vetëdijshëm për gjendjen e vështirë të PD në këta katër vjet, për shkak të arrogancës së mazhorancës por edhe të defekteve të lidershipit të tij si në distancimin nga e shkuara mëkatare ashtu edhe në ngjizjen e një opozite të besueshme, Basha zgjodhi një betejë të re, që tashmë njihet nën emrin e “çadrës së lirisë” me anë të së cilës synoi zgjerimin e frontit opozitar, forcimin e rolit të tij si lider dhe mbi të gjitha bashkimin e njerëzve rreth një ideje më shumë se sa afrimin e tyre te një parti politike. Forca e kësaj ideje, që u shpërfaq nëpërmjet sloganit të “republikës së re”, në pak javë jetë, i shkaktoi Edi Ramës shumë më tepër humbje se katër vite opozitë të bëra vetëm nën siglën e PD.
Ideja e “çadrës” u bë më e besueshme se sa opozita e PD. Ajo ishte një ndjesë për të shkuarën, që shkonte deri në vetësakrifim, ku ideja prevalonte mbi interesin e një grupi të caktuar politik, ku nuk goditej vetëm një parti kundërshtare por një sistem i tërë, pjesë e të cilit kishte qenë edhe vetë PD. Në këtë mënyrë, opozita e Bashës u shndërrua në një front që kërkonte aleancë jo thjesht me një grup të përcaktuar politik, por me të gjithë ata qytetarë që në fund mund të besonin te ndryshimi dhe jo te ndërrimi i pushtetit. Basha synoi të bënte një pakt me ta, duke shpresuar që ideja do të ishte më e fortë se numrat e ngurtë të militantëve.
Këtë bast të parë Lulzim Basha nuk mundi ta fitonte. Ai arriti të forcojë autoritetin e tij, të rikthejë shpresë te PD, të ndajë kundërshtarët e majtë, por të gjitha këto mbeten përsëri fitore brenda gardhit të tij. Pakti me Ramën i dha fund një ideje dhe rihapi përsëri llogaritë e njohura elektorale. Ajo pjesë e elektoratit që heziton t’i bashkohet një alternative, me dyshimin se nuk do të sjellë diçka të re por që mund të prodhojë vetëm thjesht një rotacion politik dhe që është pjesa që në fund mbetet vendimtare, ende kërkon prova që “republika e re” nuk është një truk. Që Basha, ndonëse nuk pati fuqinë për t’i qëndruar idesë së tij deri në fund, të paktën ta materializojë atë te zgjedhjet që do të bëjë më pas. A do të jenë ato përçuese të idesë që nuk mundi të realizohej nëpërmjet “çadrës” apo rikthim në kohët e shkuara?
Përzgjedhja e emrave të kandidatëve për deputetë të opozitës është prova më e fortë në këtë drejtim. A do të vendosë Basha njerëz që simbolizojnë një front më të gjerë se PD, që me personalitetin e tyre garantojnë besueshmëri përtej militantizmit, që shkojnë më shumë nga ideja e “republikës së re” se sa nga koniunkturat brendapartiake, ky është provimi i Bashës përpara opinionit publik.
Ai ka sot mundësinë që të bëjë diferencën edhe vetëm me njerëzit që do t’u tregojë votuesve si përfaqësuesit e tyre në parlamentin e nesërm. Nëse shumë nga ata që besuan në idenë e ndryshimit të sistemit, e mirëkuptuan pafuqinë e tij për të shkuar deri në fund, vështirë të falnin një përzgjedhje emrash brenda interesave të ngushtë të një grupi në PD. Basha duhet të jetë bindur nga 90 ditë në çadër se forca e idesë dhe jo kalkulimet e vogla, mund ta bëjnë të jetë fitues. Dhe emrat e deputetëve të ardhshëm janë pasaporta me të cilën mund të kalojë kufirin e ngurtë ku deri dje ishte izoluar PD.
Fryma e mbetur nga ditët e rezistencës, koha e shkurtër e fushatës, njohja paraprake e listave të kundërshtarit, ia lehtësojnë Bashës peshën për të dalë para shqiptarëve me emra që përfaqësojnë një front shumë më të gjerë se PD, që janë garanci e të ardhmes dhe jo pengje të së shkuarës. Për opozitën sot ka më shumë rëndësi prova përpara opinionit publik se sa eksitimi i militantëve. Basha e zhvendosi vetë betejën e tij në këtë front, duke kërkuar aleancë me qytetarët në emër të një ndryshimi të madh. Përpara kësaj, çdo llogari tjetër do ta rikthente përfundimisht në pritësin e zakonshëm në radhën e pushtetit./Marrë nga ”Mapo”.