Zëvendësministrja e Arsimit Nora Malaj ka deklaruar se LSI ka prova me pamje filmike që vërtetojnë parregullsitë në zgjedhje. Malaj thotë se LSI i ka të dokumentuara të gjitha parregullsitë që kanë ndodhur në këto zgjedhje dhe do t’i çojë për procedim.
Ajo, në një intervistë për gazetën “DITA”, ku ka folur për shumë çështje, është ndalur edhe tek zgjedhjet e fundit parlamentare. Zëvendësministrja shprehet se problemet më të mëdha që ka vënë re dhe vetë ishin shitja e votës, presionet, votimet familjare, fletët fiktive të votimit e tjerë.
“Prova bindëse?! Sa të duash… Në të gjitha kutitë që u hapën në zonën time mbizotëronin parregullsi, që nga kuti fiktive të mbushura me fletët votimi nga një njeri që u nxorën të pavlefshme, deri te votime familjare ku i kam konstatuar vetë dhe deri te procesverbale të parregullta, të gjitha të dokumentuara. Për të mos thënë pastaj për presione te komisionarët që të shisnin vota. Tashmë LSI i ka të dokumentuara të gjitha shkeljet me pamje filmike dhe do t’i çoj për procedim”, është shprehur Malaj. (B.H/Shuplaka)
Discussion about this post