Deputetja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Kejdi Mehmetaj, ka dalë në një deklaratë për mediet ku sulmoi kryeministrin Edi Rama, pasi sipas saj po tenton të përçajë qytetarët.
Duke u ndalur tek protesta e banorëve të Unazës së Re, Mehmetaj akuzoi kryeministrin se pavarësisht se u premtoi atyre legalizime, me këtë projekt do të fitojë miliona euro. Më tej ajo u shpreh se në protesta janë futur provakatorë për të krijuar incidente.
“Edi Rama për të mbajtur pushtetin dhe për të fituar miliona nga afera e rëndë korruptive e ndërtimit të rrugës së re në këtë zonë, ku një kilometër barazohet me 22 milion euro që vijnë nga votat e shqiptarëve, ka filluar të zbatojë mbi banorët planin e tij makiavelist. Këto metoda makiaveliste të kryeministrit për të përçarë shqiptarët e për t’i vendosur ato përballë njëri-tjetrit, nuk do të funksionojë dhe as nuk do ti trembi qytetarët. Të lënë në mes të katër rrugëve, pa asnjë zgjidhje apo shpjegim, me të drejtën që u japin ligjet e këtij vendi, banorët e Unazës së Re vazhdojnë të protestojnë për pronën e tyre, për shtëpitë e tyre. Kryeministri ogurzi, i cili kur kërkonte votat për t’u zgjedhur në krye të vendit, u premtonte banorëve legalizimet e pronave ashtu siç vetë ju e dëgjuat dhe vetë pranonte se ishin ndërtuar me djersë e gjak, sot i ka vendosur ata nën diktatin e dhunës dhe shkatërrimit.
Ditën e djeshme, ndërsa me arrogancë e përçmim kërkonte këndin e duhur për të bërë foto nga spitali, ogurziu Kryeministër i drejtohej me përçmim njërës prej grave protestuese të shtruara në Spitalin e Traumës e me pasoja të rënda nga dhuna që ishte ushtruar. Ai thoshte se nuk do t’ia dijë për qytetarët, i thoshte se duhej të zhdukeshin një orë e më parë. A është e denjë që një Kryeministër t’u thotë qytetarëve të tij që duhet të zhduken një orë e më parë? Kryeministri dhe e gjithë struktura e Policisë së Shtetit duhet të japin shpjegim përpara shqiptarëve për të gjitha rastet e dhunës që janë bërë publike nga mediat dhe banorët e zonës së Unazës së Re. Gjithashtu duhet të japin shpjegime se përse gjatë protestave të qytetarëve vendosen provokatorë, te cilët janë identifikuar nga protestuesit dhe që synojnë të sjellin konflikt brenda protestës.” tha Mehmetaj.
Më tej ajo solli disa raste të dhunimit të protestuesve nga policia, ndërsa shtoi se kushdo që mendon se mund të shkatërrojë pronën e qytetarëve shqiptar pa e dëmshpërblyer atë, duhet të mendohet mirë, sepse pasojat do të jenë shumë të rënda.
(B.B/ Faxweb.al)