Nuk është hera e parë që analisti i njohur, Mustafa Nano, është kontravers ndaj veprimeve të shqiptarëve në raport me serbët, ndaj gjesteve patriotike.
Në një shkrim të botuar në gazetën Mapo, Nano këtë herë ka dalë kundër veprimit të Xhakës dhe Shaqirit gjatë ndeshjes Zvicër- Serbi.
Gjatë shkrimi Nano shkruan se që të jem i sinqertë, unë pata disa ndjesira në këtë rrethanë.
“Shfaqja jo sportive e dhënë prej Xhakës e Shaqirit m’u duk fyese ndaj zviceranëve më shumë sesa ndaj serbëve.”
Pjesë nga shkrimi
Por është e qartë se, edhe sikur të mos kujtohej Vuçiçi për ta politizuar atë ndeshje, do kujtohej dikush tjetër në Tiranë a në Prishtinë. Sepse edhe për ne ishte mjaft ideja që Zvicra e shqiptarëve do të luante me Serbinë për të na bërë që të ndiheshim si pjesë e festës së futbollit. Dhe atë ndeshje mezi e kemi pritur. Ti nuk mund ta përfytyrosh shpërthimin e entuziazmit pas golit të Granit Xhakës, dhe sidomos pas shfaqjes patriotike që ai dhuroi. Pastaj, erdhi hera e Xherdan Shaqirit, që golit të bukur që shënoi iu gëzua në të njëjtën mënyrë, duke bërë me duar shqiponjën dykrenore. Ky gjest, që është bërë një simbol kombëtar i yni tanimë, është krejt pa faj në këtë histori. Nuk ka në të asnjë ngarkesë shoviniste. Dhe është një gjest i ri (as pesëmbëdhjetë vjet nuk i ka mbushur), që ka ngjitur shumë mes shqiptarëve. Por në atë rrethanë, ishte një gjest i pavend, i tepërt. Për ta thënë me gjuhën e futbollit, ishte një gjest off-side.
Që të jem i sinqertë, unë pata disa ndjesira në këtë rrethanë. Shfaqja jo sportive e dhënë prej Xhakës e Shaqirit m’u duk fyese ndaj zviceranëve më shumë sesa ndaj serbëve. Gjëja e parë që u thashë disa miqve, me të cilët po e shihja ndeshjen, ishte: “Po të isha zviceran, do të provoja një lloj parehatie prej faktit që një lojtar i skuadrës përfaqësuese të vendit tim feston me simbolika të një kombi tjetër”. Roger Köppel, një deputet në parlamentin zviceran, e shprehu ndryshe këtë parehatí: “Kur pashë Xhakën e Shaqirin që, ndonëse mbanin veshur fanellën me ngjyrat e Zvicrës, po bënin shqiponjën shqiptare me dy kokë, u ndjeva ligsht; m’u duk vetja si të isha duke bërë seks me gruan, dhe kjo e fundit, teksa unë isha në prag të orgazmës, ia bën mes gulçeve e ofshamave: Oh, oh, oh, Jean-Luc! Imagjinoni se si mund të ndihem në këtë rrethanë, teksa jam i sigurt se emri im nuk është Jean-Luc”. Këtë ndërhyrje lojcake të këtij deputeti të Zvicrës e mësova nga një shkrim i një kolegut tonë, Enver Robellit, që shkruan nga Zvicra a nga Gjermania. Veçse Robelli i referohej Köppel-it në mënyrë kritike.
(M.Q/Faxweb)