Kreu i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla, nga Fieri ku ka shpallur aksionin e ri politik për zgjedhjet vendore ka shprehur opinionin e tij edhe për skandalin e vjedhjes se 520 mijë eurove që implikojnë edhe një ish-zyrtare të qeverisë.
Sipas Ballës “Kemi ardhur në një fazë të re të drejtësisë. Fakti që drejtësia po funksionon dhe për çdo ditë do kemi lajme se drejtësia po funksionon .. llumi duhet pastruar. Ditën e hënë nis sesioni i ri parlamentar dhe apeli im është që historia që ne i bëjmë gjyqin njeri tjetrit duhet të marrë fund . Ke diçka çoje në prokurori. Ky është një standard që e kam zbatuar për të gjitha akuzat edhe personalisht për Sali Berishën. Pastaj është organi i drejtësisë që vendos”, tha ai.
Duke ju rikthyer procesit të nisur në PS për zgjedhjet vendore Balla ka dhënë detaje mbi aktivitetin e strukturave të PS për të përmbushur synimin e fitores në zgjedhjet vendore të këtij viti.
“Partia Socialiste për këtë qëllim është edhe në proces konsultimi që nga anëtarësia dhe strukturat e PS, por edhe me qytetarin për zgjedhjen e kandidatit që do përfaqësojë PS në bashkitë e qarkut Fier. Ne po vlerësojmë edhe kandidatura alternative, por ajo që është me e rëndësishme është puna që është bërë në këto vite nga drejtuesit vendorë”, theksoi Balla.