Deputeti i PS-së, Ulsi Manja ka sulmuar ashpër Prokurorinë për mbylljen e çështjes së CEZ. Manja thotë se Prokuroria është e kapur nga segmente të krimit.
”Ju e mbani mend sesi u nis një komision hetimor për çështjen CEZ. Prokuroria po kërkon të mbyllë një nga çështjet më flagrante të korrupsionit në këto vitet e fundit pa marrë në pyetje asnjë person që ka dijeni për çështjen.
Prokuroria kërkonte që të arrestonte një deputet, vetëm në sajë të asaj çka thuhet në media, jo vetëm që nuk e vë ujin në zjarr për emra peshqish të mëdhenj që janë shkruar, po e çon dhe dosjen në gjykatë në mënyrë që të mbyllet çështja.
Kush është pas këtij teatri të neveritshëm, kush jemi ne që të fyejmë popullin. Prokuroria po bën pazare me këtë çështje që bie erë që larg, Prokuroria po kërkon me veprimet dhe mosverprimet e saj që është kalbur dhe është e varur nga segmente të policisë, po nuk mund ta ndalojë dot erën e re të drejtësisë. Gjej rastin ti bëj thirrje prokurorëve të ndershëm që të mos tremben pasi Vetingu ka filluar, dhe të mos vazhdojnë më të marrin urdhëra e që janë të lidhur nyje me pjesët e politikës që kanë bllokuar Reformën në Drejtësi”, u shpreh Manja.
Me të njëjtën gjuhë është shprehur dje edhe Taulant Balla, kreu i grupit parlamentar të PS-së.
(E.K/FAXWEB)