Në studion e FaxNews ka qenë e ftuar nga Rovena Neziri për të folur për zhvillimet e fundit në partitë politike kryesore të vendit, gazetarja Rugova Dunisha.
Në lidhje me PD-në Dunisha shprehet se e vetmja mënyrë ligjore deri tani që grupimi i Berishës të garojë në zgjedhjet e 14 majit, është vetëm dalja si kandidatë të pavarur për të cilën regjistrimi bëhet në 27 mars, ose të bashkohen me grupimin e Alibeajt.
E pyetur nga Neziri, gazetarja u ndal dhe te zhvillimet e PS-së, për të cilat mediatikisht dihet shumë pak, po duke patur parasysh njoftimet e kreministrit Rama, deri tani dihet se një pjesë e mirë e kryetarëve aktual të bashkive do të rikandidojnë në zgjedhjet e 14 majit, po përjashtim do bëjë kandidati i Bulqizës pasi PS nuk mund të rrezikojë të përfaqësohet me një person të përfshirë në abuzimin me tendera shton Dunisha.
Ndër të tjera gazetarja e përshkruan si të fortë garën që do bëhet në Elbasan ku kryetari i bashkisë ka për të qenë përballë Luçianio Boçit i cili është mjaft i favorizuar nga pëlqimi i publikut. Dunisha nuk lë pa përmendur as propagandën që është bërë në Bashkinë e Tiranës, ku thotë se Erion Veliaj e ka nisur fushatën prej kohësh, duke qenë se përballë ka Belind Këlliçin.
Rugova Dunisha: Në zgjedhjet e 6 marsit Z.Berisha kandidoi nën logon e PL-së, po në formularin e depozituar në KQZ nuk ishte PD në bashkëpunim me PL, nuk ishte si palë, megjithëse ne e dinim që ishin kandidatët e Berishës, po në dokumenta nuk figuronte. Sigurisht, Berisha duhet të krijojë një parti të re, të ketë logon e tij, në këto zgjedhje nuk bëhet pasi duhet të kalohet në disa procedura dhe afatet janë kaluar. E vetmja mënyrë do të ishte që kandidatët e Berishës të dilnin si të pavarur pasi kemi datën e 27 marsit që bëhet regjistrimi i kandidatëve. Berisha ose do shkojë si në zgjedhjet e 6 marsit ose kandidatët të regjistrohen si të pavarur nëse nuk do bashkohen me grupimin e Alibeaj.
Gazetarja: Kthehemi te selia e PS-së, të ndalemi te gjitha zhvillimet atje, janë një sërë problemesh nuk e di sa preket PS pasi është hermetike mediatikisht sa i takon probleme të brendshme, pak flitet për to, kemi të arrestuar kryebashkiakun e Bulqizës, në SPAK 3 orë ditën e djeshme Vangjush Dako, sot kryebashkiaku i Krujës për disa orë.
Dunisha: Duket sikur të gjitha problemet e PD-së favorizonin kryeministrin Rama dhe kampin mazhoritar që në këo zgjedhje të shkonte me avantazhe të larta duke qenë se po përballet me një kundërshtar që përbrenda është i copëzuar. Zhvillimet e fundit i kanë tronditur disi pozitat e mazhorancës, po dhe listën e paramenduar që përflitej për kandidatët e PS. Kryeministri Rama, ka përmendur që kryetarët aktual të Dibrës dhe Bulqizës do të jenë kandidat për këto zgjedhje.
Gazetarja: Pra, Rama do të rikandidojë dikë që është arrestuar?
Dunisha: Besoj se jo, pasi mendoj që PS nuk do të marrë një risk të tillë përsipër edhe Rama dje u shprehë se PS nuk është ombrellë e askujt që përballet me ligjin, po do duhet që PS të përpilojë disa lista të reja, ndonëse ka patur dhe sondazhe për të nxjerrë më pas dhe kandidatët. Më 25 mars është parashikuar një tjetër mbledhje kryesie ku do të bëhet publike lista e emrave. Do duhet parë se sa nga kryebashkiakët aktual do të propozohen për të qenë kandidatë. Mbrëmjen e djeshme kryeministri ka zhvilluar dhe me 60 kryetarët e bashkive, ku mendohet se i ka vënë në dijeni se cilët do të propozohen dhe se cilët do të punojnë për kandidatin.
Gazetarja: Kemi kryebashkiakun e Tiranës që është shprehur në të gjitha mënyrat se do të rikandidojë, Durrësi çfarë flitet?
Dunisha: Për Durrësin ende nuk është vendosur, kemi dhe projektin e Portit prandaj synohet nga të dyja partitë. PD shikon Igli Carën ndërkohë që PS mendohet se do shkojë me emrin e Emirjana Sakos, po nuk është vendosur ende. Emri i saj ka kohë që përflitet, pasi ajo i ka përmbushur punët e dhëna nga kryeministri. Duhet parë nëse kryeministri Rama do të vendosë atë përball Igli Carës.
Gazetarja: Po Elbasani?
Dunisha: Elbasani do shkojë me kryetarin aktual përballë Luçiano Boçit. Do të jetë një luftë interesante, pasi Boçi ka popullaritet në Elbasan dhe pëlqyeshmëri. Rivaliteti mes tyre është shumë i madh. Kemi dhe Tiranën që përball Veliajt kemi Belind Këlliçin. Duhet parë se PS ka investuar mjaft për gjithë propagandën për Bashkinë e Tiranës, po dhe Veliaj e ka nisur fushatën shumë herët.
PD-në e disfavorizon fakti që është e përçarë, pavarësisht nëse brenda PD-së preferohet dhe pëlqehet Këlliçi ose Luçiano Boçi, kjo përçarje krijon edhe në opinionin publik një mëdyshje.