Kryetari i Grupit Parlamentar Taulant Balla, Ministri i Mjedisit Blendi Klosi dhe deputetët Musa Ulqini e Anastas Angjeli kanë qenë në një takim me qytetarët në qytezën e Belshit ku kanë komentuar dhe krizën politike në të cilën ndodhet vendi.
Balla deklaroi se strukturat e PS duhet të angazhohen për zgjedhjet e 30 Qershorit ndërsa konfirmoi Arif Tafanin për një tjetër mandat në krye të kësaj bashkie, si një nga modelet më të mira të qeverisjes vendore.
“Ky është Sali Berisha. Ne e dimë se çfarë metodash përdor dhe gjithçka ndodhi në 16 Shkurt, gjithçka patë mbrëmë në ekranet e TV janë skenar i përsëritur i një simbioze kriminale të Sali Berishës sa herë që cënohen iteresat e tij apo të familjes.
Unë jam krenar ta them që sot PS e Shqipërisë është e konsoliduar në të njëjtin krah me SHBA dhe BE dhe siç e keni ndjekur vetëvrajsen politike të PD dhe LSI, nuk e ka mbështetur askush dhe nuk ka për ta mbështetur askush.
Ata vetë vendosën të dalin nga sistemi demokratik ndërsa ne kemi detyrën t’i qëndrojmë strikt dhe besnik mandatit që na është besuar në 25 Qershor.
Mandati i 25 Qershorit ishte referendum.
Sali Berisha, Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi janë personat përgjegjës për një dëmtim të rëndë të imazhit të Shqipërisë me dhunën e 16 Shkurtit.
Ato pamje që rikthyen në mendjet e shqiptarëve ngjarjet e rënda të 1997-1998 dëmtojnë në radhë të parë ekonominë”, është shprehur Balla.
Ndërkohë që sipas Klosit protesta e opozitës ka sjellë një ulje të numrit të turistëve që kërkojnë që të vizitojnë Shqipërinë. Më tej Ministri shtoi se opozita e kishte të pamundur të mundte PS ndaj dhe mori vendimin ekstrem të kapitullimit.
“Ajo që ndodhi në Parlament me partitë e opozitës që u tërhoqën nga Parlamenti, në fakt është një ngjarje e padëgjuar ndonjëherë.
Sali Berisha erdhi në Parlament me revolucion në 1991 dhe po ikën sot me kapitullim. Ata firmosën kapitullimin.
Gjithë këto kohë deklaruan se nuk e mundin dot Edi Ramën dhe PS-në dhe nuk kemi pse e marrim më të komplikuar se kaq. Nuk na mundnin dot!”, ka thënë Klosi.
Ndërkohë që Ulqini ka thënë se ai e ka provuar dhe në kurrizin e tij terrorin e ushtruar në kohën kur ishte Sali Berisha në pushtet.
“Unë dhe socialistët e Tiranës kemi provuar terrorin që Sali Berisha ushtroi në referendumin e 6 nëntorit të vitit 1996 dhe ne arritëm të fitojmë edhe në qendrën e votimit ku votonte Sali Berisha tek rruga “Fortuzi”, e kemi për krenari që jemi përfaqësues të PS-së. Kemi qenë në sheshin “Skëndërbej” kur kemi provuar dhunën më të tmerrshme, përpara kamerave të gjithë botës.”, u shpreh Ulqini.
![](https://www.faxweb.al/wp-content/uploads/2019/02/ARIF-TAFANO.jpg)