Partia Socialiste nesër në orën 12:00 nis zyrtarisht fushatën elektorale. Kryeministri Edi Rama në rubrikën e tij “Sy m’Sy” bëri dje me dije se do të startojë me një cikël takimesh.
“Ne do të nisim fushatën me një cikël takimesh që do zhvillohen në të njëjtën kohë, natyrisht në këtë cikël ne do jemi së bashku me fuqinë tonë kryesore që janë gratë dhe vajzat. Le të vazhdojmë ndërkohë me të sotmen dhe me çastin”,- u shpreh shkurtimisht ai.
Pritet që socialistët të mblidhen në sheshin “Skënderbej” për një takim festiv për “Shqipërinë 2030”, në datën që sipas Ramës ka një simbolikë tejet të veçantë. Jo vetëm një fitore të 4-t për socialistët, por edhe një epërsi numerike bindëse është parashikimi i Edi Ramës për zgjedhjet e 11 majit.
“Do të fitosh 77 deputetë? Mund të jenë edhe më shumë. Do ta shkruaj atje te lokali në Kuç ku herën e kaluar kam lënë rezultatin”, – u shpreh Edi Rama.
Nga dritarja virtuale “Sy më sy”, kritikëve që i kujtojnë humbjen, përgjigjen ua ktheu me shprehjen e tij të preferuar. “Mos e cysni Nocin se sa më shumë e cysni aq më shumë do t’iu dhëmbë më 11 maj. Prisni, duroni 30 ditë dhe pastaj do ta shihni se kujt do t’i trokasë Noci te dera. E dhimbshme do jetë”, – theksoi Rama.
Në këtë dalje një mesazh pati edhe për demokratët. “Ore mos votoni kurrë për mua e PS, por si mund të shkoni pas një të urituri që i fiket llamba 3 herë në ditë tanimë se edhe mosha tepër e thyer bën të vetën, që i ka sjellë këtij vendi halle, rrëmuja e turbullira. Rrini në shtëpi, por të dalësh e të hedhësh votën në kënetë uaa!”, – u shpreh kryeministri.
Dhe për të treguar epërsinë e tij përpara kundërshtarit, sërish preferon të flasë me shifra. “0 shanset që këneta të bindë shumicën që nuk është kënetë. “Bufi i kënetës” apo moçalishtet e reja që bëjnë të njëjtat lloje zotimesh të njëjtën gjuhë, të njëjta metoda, mllef, mllef…”, – deklaroi ai.
Kryeministri njoftoi edhe vizitën e homologut britanik në Shqipëri para Samitit të Komunitetit Politik Europian që do të mbahet në 16 Maj në Tiranëh. “Asnjëherë nuk ka ardhur një kryeministër britanik për një vizitë zyrtare, ka ardhur vetëm një herë Tony Blair për të shkuar në Kukës, ishte vizitë bilaterale”, – theksoi Edi Rama.