Partia Socialiste i ka kthyer reston kryedemokratit Lulzim Basha, pas akuzave të artikuluara në drejtim të kryeministrit Rama.
Nëpërmjet një njoftimi për shtyp, PS replikon me Bashën duke e akuzuar se mbylli çadrën vetëm për ca poste ministrash.
“Pasi mbylli çadrën për ca poste qeveritare, Z. Basha po përpiqet tani të na mbushë mendjen se ka hallin e qytetarëve dhe problemeve të tyre. Ata që kundërshtuan dhe humbën me Vetting-un, do të humbin gjithashtu në betejën për të fituar zemrat e shqiptarëve. Ata që luftuan për Vetting-un dhe fituan, do të fitojne edhe betejën gjatë katër viteve të ardhshme për më shumë vende të reja dhe dinjitoze pune”,- thuhet në reagimin e PS.
Shkrimi i Lulzim Bashës:
Edi Rama mendon se, meqë i gënjeu njerëzit njëherë, mund t’i gënjejë përsëri. Pasi nuk mbajti asnjë premtim, qoftë edhe një të vetëm, ai ka filluar të premtojë nga e para.
Premtoi 300 mijë vende pune, por nuk hapi asnjë. 300 mijë shqiptarë e braktisën Shqipërinë katër vitet e fundit për të gjetur punë në emigrim, por në vend të kërkojë falje, ai po gënjen prapë se do të hapë 220 mijë vende në mandatin e dytë. Në katër vite, të varfërit u varfëruan më shumë, ndërsa një grusht oligarkësh u bënë më të pasur nga favoret e qeverisë, por ai prapë gënjen kur thotë se do të punojë për të varfërit. Shëndetësia e premtuar falas është rrënuar dhe njerëzit paguajnë çdo gjë nga xhepi i tyre, por ai gënjen edhe një herë duke premtuar se do e bëjë falas në mandatin e dytë. Ai i braktisi fermerët e nuk u dha kurrë mbështetje, por ai tani premton se me të do të lulëzojë bujqësia. Krimi zaptoi shtetin e ekonominë dhe kanabisi mbuloi Shqipërinë, por ai thotë se ka bërë shtet dhe do bëjë edhe më shumë shtet.
Edi Rama kujton se njerëzit nuk kuptojnë, prandaj i gënjen, i përçmon dhe i tall çdo ditë ata. Shpërfillja ndaj qytetarëve dhe përqëndrimi i pushtetit e pasurisë në pak duar është vete thelbi i republikës së vjetër. Ndryshimi më i madh që do sjellë Republika e Re është kthimi i pushtetit tek njerëzit, të cilët do të kenë mundësi të jetojnë në mënyrë të ndershme, me punën dhe aftësitë e tyre.
#ZgjedhjeTeLira #RepublikaeRe
(M.D/Shuplaka)