Kryeministri dhe kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, u ndal tek bojkoti i Partisë Demokratike në parlament dhe vendimi i saj për të mos marrë pjesë në zgjedhje. Sipas Ramës kjo ndodh për shkak se Partia Demokratike i druhet drejtësisë.
Rama theksoi para banorëve të Beratit se më 18 qershor do i jepet fund gjyqtarëve të korruptuar që mbrohen nga opozita. Në mesazhin e tij për Partinë Demokratike, kreu i PS-së theksoi se nuk kanë parë gjë akoma.
“Të gjithë e keni marrë vesh që PD ka vendosiur të mos bëhet pjesë e këtij procesi, t’i braktisë zgjedhjet, të hyjë në rrugën pa krye të frikës që e ka kapur lidershipin e saj nga drejtësia. Duke qenë se janë tmerrësisht të trembur duan që në Shqipëri të mos bëhen zgjedhje, duan t’i trembin njerëzit se këtu do bëhet nami. Të jeni të sigurtë se këtu nuk do bëhet asgjë tjetër veç vullnetit të popullit, atyre që e duan Shqipërinë si e gjithë Europa.
Do të luftojmë me mish e me shpirt që të nisim edhe më shumë edhe më shpejt ekonominë, punësimin, mirëqënie. Ju e keni parë se sa kohë dhe energji na kanë marrë duke e bllokuar Vettingun. Ata janë bërë mburoja e atyre gjyqtarëve dhe prokurorëve që morën peng shtetin. Më 18 qershor do të pushojmë gjytarët e korruptuar. Por kjo do të marrë fund më 18 qershor. Do të mbyllet edhe kapitulli i Partisë Demokratike sic e keni njohur deri tani.
Prandaj jeni të hapur t’i përqafoni shoqet dhe shokët që keni në klasë, në shkollë, në fshat, që janë me Partinë Demokratike. Thojini që tek ne ka vend për të gjithë, nuk është e ndarë tek “tanët” dhe “të atyre”. Mirëpresim çdo demokrat, nuk i lemë në baltë. Perpara se të jemi pjesëtarë të një partie ne jemi stërnipër të Skënderbeut dhe nipër të Ismail Qemalit. Vota e 18 qershorit ndan mirë si do të jetë e nesërmja.
Dhe sa më shumë kujtojnë se do ta pengojnë Shqipërinë të bëhet vendi që duam, aq më shumë do ta kuptojnë se nuk kanë parë asgjë akoma. Të gjithë atyre që iu thonë “Nuk është bërë kjo”, “Nuk është bërë ajo”, thuajini “Keni shumë të drejtë”. Partia Socialiste nuk është më e mira, por më të mirë nuk keni parë dhe s’keni për të parë.”, u shpreh kryeministri Rama nga Berati.
(XH.A/SHUPLAKA)