Deputetët opozitarë në komisionit hetimor për koncesionet në shëndetësi reaguan pas vendimit të mazhorancës për të kaluar pa votat e të djathtëve kërkesat për informacion. Në një dalje për mediat, kryetarja e komisionit Albana Vokshi së bashku me deputeten Ina Zhupa akuzuan socialistët se po mundohen të bëjnë gjithçka që të mbulojnë vjedhjet e tyre.
Vendimi i mazhorancës për të kaluar pa votat e opozitës kërkesat për informacion në Komisionin Hetimor për koncesionet në shëndetësi u kundërshtua nga të djathtët.
Teksa e cilësoi sjelljen e socialistëve si qesharake, kryetarja e komisionit Albana Vokshi u shpreh se vendimi i së enjtes është në shkelje të ligjit.
“Mbledhja e vazhduar nga PS-ja pas mbylljes është e paligjshme dhe vendimet e marra në këtë mbledhje janë nul.”
Sipas Vokshit, mazhoranca kërkon të mbulojë vjedhjen miliona euroshe.
“Nuk duan të hetojnë vjedhjen miliona euro me në krye nënkryetarin Ndreca.”
Ndërkaq, deputetja demokrate Ina Zhupa u shpreh se do të kërkojnë shfuqizimin e vendimeve të marra të enjten.
“Është kundërshtuar në strukturat përkatëse të kuvendit dhe duhet mbajtur përgjegjësi personale.”
Mbledhja e radhës e Komisionit Hetimor për koncesionet në shëndetësi është lajmëruar për të martën në orën 13:00.