E beftë lëvizja e Edi Ramës dje, në fushën që ai po e krahason përherë e më shpesh me fushën e Shahut. Shumë hamendësime po qarkullojnë pse Edi Rama tërhoqi kandidatin në Kavajë. Informacione me burime konfidenciale, madje madje edhe nga ato interpretime se qe bindja e ambasadorit amerikan Donald Lu që bëri të vetën, apo se e detyruan informacionet për plan destabilizimi që mund të konkretizohet në Kavajë.
Le të arsyetojmë mbi bazën e ty skenareve për të dalë në konkluzionin pse Rama e lëshoi: Ta marrim të mirëqenë që do kishte trazira dhe skenari i dytë që asnjë trazirë nuk do ndodhte. Çfarë mund të pësonte Rama mes dy zjarreve, ”zjarrit” të zgjedhjeve në Kavajë dhe atyre të përgjithshme?
Skenari 1-Trazira në Kavajë
Opinioni publik nëpërmjet medieve, madje edhe nëpërmjet vetë deklaratës së Ramës u përgatit për të besuar se mund të ndodhnin trazira në Kavajë. Madje kreu i KQZ-së Biba i çoi edhe një letër kryeprokurorit Llalla ku e lajmëronte se PD do bllokonte zgjedhjet.
Atëherë çfarë vendimi politik do të merrte Rama në këtë situatë? Si do dukej ai te ndërkombëtarët që i ka me aq merak, të cilët me dashje apo padashje janë bërë pjesë e negociatave Rama-Basha?
Tjetër gjë është perceptimi që ndërkombëtarët kanë krijuar për çadrën, ku një numër i caktuar opozitarësh, në paqe të plotë, kërkojnë qeveri teknike pak muaj para zgjedhjeve, por tjetër do të qe raportimi i trazirave në Kavajë, të cilat do ishin fakti i kryer i zgjedhjeve pa opozitën brenda.
Atëherë, përse Rama do t’i futej një beteje që do ta çonte drejt humbjes së sigurt të betejës së madhe, caktimit të zgjedhjeve më 18 qershor?!
Si të mos mjaftonte lufta për imazhin e tij dhe problemet që mund t’i sillnin perceptimet e ndërkombëtarëve, Rama nga ana tjetër do ta kishte shumë të vështirë të përballonte konflikte apo trazira tani shumë para zgjedhjeve që ai synon të mbajë. Konkluzioni është i qartë: Rama do e lëshonte, siç bëri. Do e sakrifikonte Kavajën për të shpëtuar zgjedhjet e përgjithshme.
Skenari 2-Asnjë trazirë në Kavajë
E kujtoni sugjerimin e analistëve, opinionit publik, madje edhe vetë Metës e kryetarit të ri të LSI-së Vasilit, se zakonisht i takon maxhorancës të lëshojë më shumë në negociata?
Prej ditësh me radhë, që kur mbërriti në Tiranë negociatori McAllister, perceptimi ishte i qartë: Rama nuk po lëshonte, ndërsa Basha ishte i palëkundur në pozicionin e tij.
Atëherë përse Rama mos të bëjë sikur lëshon diçka? I lëshoi të gjithë, ministra, zv.ministra, madje edhe zëvendësin e tij, por sërish ishte e pamjaftueshme. Rama me siguri ka qenë prej ditësh duke kërkuar se çfarë do të kënaqë ndërkombëtarët dhe demokratët. Tani ishte momenti i një gjëje edhe më të madhe: Kavaja. Një sakrificë për ndërkombëtarët dhe një fitore e parë për demokratët.
Një veprim i Ramës që do të perceptohej si lëshim por nga ana tjetër një hall më pak në dhjetra që mund të ketë kryeministri në këto momente. Dhe me siguri që në perceptimin e tij është një hap më shumë drejt fitores.
E merrni me mend se si do të paraqitet veprimi i Ramës faqe botës?! ”Rama lëshoi, Rama dha, Rama shpëtoi vendin nga një skenar i mundshëm destabilizimi, Rama po bën gjithçka duke sakrifikuar politikisht vetëm për hir të vendit dhe për faktin se e do opozitën në zgjedhje.”
Përkundër emocioneve të mëdha të demokratëve pas asaj që ndodhi dje, parashikimeve se tani do të vijë lëshimi i madh, apo përgëzimit që duhet t’i bëjmë kryeministrit të vendit, një gjë është e sigurtë: Edi Rama luan për veten dhe s’e ka për gjë t’i lëshojë të gjithë, veç karriges ku është ulur. /Valmora Gogo–SHUPLAKA