Evropa po bëhet gjithnjë e më shumë një qendër për prodhimin dhe dërgimin e kokainës në pjesë të tjera të botës, përveçse një treg i madh konsumator për këtë drogë, thanë sot shërbimet e Bashkimit Evropian, duke paralajmëruar se kjo lloj industrie është në rritje.
Pas kanabisit, kokaina është droga më e përdorur në Evropë, me miliona përdorues dhe shitje prej rreth 10.5 miliardë euro deri në vitin 2020, sipas një raporti të përbashkët të prezantuar sot në Bruksel.
Tregu evropian po rritet, i nxitur nga prodhimi më i madh në Amerikën Latine dhe gjithashtu nga zgjerimi i kapacitetit të përpunimit të drogës.”Më shumë prodhim po ndodh tani brenda Evropës, duke treguar ndryshime në rolin e rajonit në tregtinë ndërkombëtare të kokainës,” thuhet në raport.
Sipas të dhënave, Belgjika është në qendër të industrisë së kokainës në Evropë, pasi janë sekustruar sasitë më të mëdha të kokainës në vitin 2020, gjithsej 70 ton.
Belgjika është gjithashtu një lider në përpunimin e pastës së kokainës, së bashku me Holandën dhe Spanjën.
Kokaina e importuar në Evropë nga Amerika e Jugut po eksportohet gjithnjë e më shumë në pjesë të tjera të botës, kryesisht në Lindjen e Mesme dhe Azi, duke e bërë Evropën “një pikë kyçe tranziti.
Tregu evropian i metamfetaminës po rritet gjithashtu, por ai mbetet shumë më i vogël se ai për kokainën.
“Tani ekziston një shqetësim në rritje për objektet e prodhimit të vendosura në Belgjikë dhe Holandë, ku metamfetamina mund të prodhohet në një shkallë dukshëm më të madhe”, thuhet në raport.
Evropa është një nga liderët botërorë në prodhimin e metamfetaminës dhe prodhuesit evropianë tani po bashkëpunojnë gjithnjë e më shumë me bandat kriminale meksikane për të përmirësuar proceset e prodhimit, kanë paralajmëruar shërbimet e BE-së.
(E.D/faxweb.al)