Henri Çili ka qenë një nga analistët më aktiv të këtyre ditëve duke komentuar mbi zhvillimet politike në vend. Në momentin që flasim vendi ka hyrë në një krizë politike me opozitën që prej më shumë se një muaji proteston në shesh dhe mazhorancën që njëherë bën një hap para dhe njëherë tjetër hapa pas.
Në një intervistë për ‘’Shuplakën’’ ai është shprehur se LSI dhe PS nuk do të hyjnë së bashku në zgjedhje.
I pyetur pse ai duket se ka ndryshuar në qëndrimet e tij nga ‘’Basha kryeministër’’ te ‘’Rama reformator dhe Rama për një mandat të dytë’’ ai është shprehur se kjo nuk është e vërtetë dhe ai u qëndron ideve që ka herdhur në vite.
Në shpjegimin e tij të gjatë ai është shprehur se kanë qenë Reformat e ndërmarra nga Rama ato që e kanë bërë të mendojë se qeverisja e tij duhet të besohet për një mandat të dytë.
‘’Unë në veten time e di që s’kam bërë asnjë ndryshim, sepse nuk kam asnjë ndryshim në ide. Njeriu ka vetëm një detyrë: të jetë koherent me idetë e tij. Edhe ato mund t’i ndryshojë, por duhet t’i argumentojë çfarë ndodhi dhe pse.
Unë kam ide të liberalizmit ekonomik, me pikëpamje liberale mbi shoqërinë, mbi mënyrën e politikës, mbi tolerancën dhe këto nuk më kanë ndryshuar asnjëherë dhe nuk më rezulton në asnjë moment që të jem kundërthënës për një pikëpamje, për një ide.
Tipari im i dytë personal, që nga viti 2002 ku kam një farë zëri në jetën publike, është fakti që unë gjithmonë pozicionohem dhe pozicionimi nuk më bën të humb pavarësinë. Që nga viti 2002 bashkë me liberalët e djathtë ne pozicionoheshim hapur në përputhje me idetë tona, dhe këtë ua sugjeroj të gjithë të tjerëve- dhe jam shumë i gëzuar që sot në çadër, kanë shkuar shumë intelektualë, filozofë, akademikë, gazetarë, të cilët janë pozicionuar pro opozitës dhe për mua mbeten gjithaq të pavarur. I pozicionuar dhe i pavarur nuk ka asnjë kontradiksion, mjafton që njeriu të thotë idetë e veta, në çdo moment, kudo ku ato shfaqen dhe të mbështetë këdo që mbështet idetë e tij.
Pikërisht ky është edhe koncepti im. Unë mendoj që zgjedhjet e 2013-ës patën atë rezultat që patën, zgjedhjet nuk i vendosin analistët, por i vendos populli shqiptar. Unë kam bërë një kritikë shumë të ashpër të ideve populiste, që pati fushata e Edi Ramës (e dokumentuar kjo në debat me Edi Ramën). Kam shkruar një libër me idetë e mia për fushatën, një shpjegim subjektiv për 23 qershorin, “Kundër-reforma”, një libërth i vogël dhe kam pasur një sugjerim, modest: Edi Rama e mori si e mori pushtetin me populizëm, por duhet sa më parë të heqë dorë nga idetë populiste, sepse janë shumë të rrezikshme për shtetin. Pra unë, në njëfarë mënyre paradoksale thosha, “për të mirën e vendit është mirë që të flaken të gjitha idetë populiste, të fushatës së 2013-ës”.
Edi Rama gjatë këtyre 3 viteve ndërtoi një kurs përgjithësisht, në 70% të tij, reformues.
Unë mendoj që në 10 apo 11 reformat e Ramës, i argumentoi në mënyrë jo-populiste. Për shembull; ai e dinte që do të humbiste vota dhe mblodhi çdo faturë, ai e dinte që do të humbte vota dhe i bëri të rregullta konkurset në administratën publike dhe fitoi mërinë e shumë socialistëve. Ai ndaloi ndërtimet pa leje, humbi vota, por ndaloi ndërtimet pa leje, mbylli universitetet e këqija publike dhe shtetërore dhe humbi vota. Ai krijoi tregun e energjisë, ai bëri reforma jashtëzakonisht të rëndësishme në partneritetin publik-privat. Të gjithë i shajnë, por unë që kam pikëpamje liberale i mbroj, sepse një para publike është shumë herë më mirë të harxhohet nga privati se sa të harxhohet nga shteti. Reforma territoriale dhe reforma në drejtësi.
Pra Rama ndërmori një kurs reformues, edhe të arsimit të lartë, i cili shënon bazat e sistemit. A kanë mbetur tema të pratrajtuara mirë nga Rama? Për mua po, 3:
Taksa progresive, vazhdon të jetë rrënimtare për Shqipërinë, duhet në mënyrë urgjente të kalohet në taksë të njënivelëshe mund të mos jetë 10, por të jetë 12,5% apo 15%, por duhet të kalohet.
Duhet të braktisë idenë e shëndetësisë falas, duhet të krijojë tregun e shëndetësisë dhe të sigurimeve.
Duhet ta shkurtojë në mënyrë drastike administratën. 15 ministri janë qesharake për Shqipërinë, ato vetëm sa prishin punë, nuk rregullojnë punë, fryjnë dhe mbajnë ekuilibrat e koalicionit, por nuk i shërbejnë Shqipërisë. 7, 8 apo 10 ministri do ishin shumë të mira.
Pra Edi Rama ka akoma shumë etatizëm, shumë rregulla burokratikë në administratë, sidomos në nivelet e dyta dhe të treta, ka plagë të hapura në shëndetësinë falas, ide nga e cila duhet të heqë urgjent dorë dhe ka një sistem shumë të kompleksuar taksash, duhet të shkojë në një nivel sistemi më të thjeshtuar.
Si përfundim çfarë gjykoj unë? Që mandati i Ramës e kaloi përfundimisht të majtën shqiptare nga pozitat e socialdemokracisë klasike, në pozitat e Rrugës së Tretë, të cilat janë gjithsesi shumë më pozitive se sa populizmi. Këto dhe vullneti i tij i madh si lider, lidershipi i tij për t’i çuar gjërat përpara, për ta bërë një gjë që thotë, më bëjnë të mendoj që cikli reformist i Ramës të vazhdojë edhe një mandat të dytë.
Në këtë kuptim, siç e shikon unë nuk kam ndryshuar asnjë ide!’’, deklaroi Çili. (E.K/SHUPLAKA)