“Vërtetë ne nuk kemi parë gjë akoma! Po dhe ky nuk ka parë gjë akoma!”. Kështu u shpreh dje në parlament kreu i LSI-së Monika Kryemadhi.
Theksin Kryemadhi e vuri te programi i qeverisë “Rama 2” ku u shpreh se ai që Rama paraqiti është një program batutash, të shkruar keq, me gabime lajthitje të shumta, provë e një padije të thellë.
“Kaq i zënë ka qenë ai, me sajdisjen e atyre që i blenë votat në qershor, sa nuk paska pasur kohë as ai dhe as oborri dhe oborrtarët e tij, për të shkruar një dokument serioz programor, për qeverisjen e ardhshme të vendit, por vetëm ka gatuar shpejt një program batutash, të shkruar keq, me gabime dhe lajthitje të shumta, provë e një padije të thellë.”, u shpreh ajo.
Me tone të ashpra Kryemadhi nënvizoi se kryeministri është kujdesur që programit të tij t’i qepë një kostum të ngushtë, që edhe e mbiquan një qeveri të vogël, duke qenë i kursyer në premtime, të cilat i kthehen fare shpejt mbrapsht.
“Nuk do të kemi pra as në letër një strategji qeverisëse për të ashtuquajturën: “shëndetësi falas”, apo reforma të tjera çudibërëse, qindra e mijëra vënde pune, rritje pensionesh dhe rritje reale të sigurisë njerëzore, në xhunglën e ashpër shqiptare. Kryeministri është kujdesur që të shkatërrojë edhe vetë debatin mbi programin, duke mos na paraqitur një program qeverisës të mirëfilltë.”, tha deputetja.
Pasi kryeministri vendosi kufjet duke neglizhuar kështu fjalën e Kryemadhit kjo e fundit tha se programi “Rama 2” është një tallje, fletushkë sipërfaqësore.
“Madje edhe këtë tallje, edhe këtë fletushkë sipërfaqësore prej të vetkënaquri, e kqyrëm dhe e pamë me kujdes, me shpresën se mos mes rreshtave, apo diku më thellë, të ishte fshehur diçka me vlerë të vërtetë.
ARSYET PSE KRYEMADHI KUNDËRSHTOI PROGRAMIN:
Rritja ekonomike
Si mund të krenohet kjo qeveri për një rritje ekonomike “bombastike” (3,5%), kur të ardhurat në xhepat e shqiptarëve janë po aq sa edhe ishin 10 vite më parë, dhe që në fakt nuk do të thotë rritje, por në rastin konkret qëndrim në vënd, dhe realisht një kthim pas. Sepse nuk mund të ketë një rritje ekonomike të vërtetë, nëse nuk ka një rritje të të ardhurave direkte të shqiptarëve. Ato janë veçse fjalë dhe shifra të vdekura, të hedhura në fletushkën e paraqitur si program, si një gënjeshtër e rradhës.
Këtë nuk e them unë, këtë e thotë raporti i prillit 2017 i FMN-së.
E vërteta është pra, që rritja ekonomike në këto vite ka qënë më pak sa inflacioni, thënë ndryshe, shqiptarët janë varfëruar më shumë sepse pagat dhe të ardhurat e tyre kanë qenë vëndnumëro ndërsa çmimet e konsumit janë rritur ndjeshëm…
Sot shqiptari blen më pak, bukë, vaj, sheqer, mish, veshje, shërbime, se sa më parë, sepse çmimet janë rritur, ndërsa paraja është zhvleftësuar dhe ka rënë si fuqi blerëse. Edhe kur premtohet një shifër kuturu prej 5.5% në fund të mandatit të ardhshëm, kryeministri, nuk ka asnjë argument bindës, se cilat do të jenë burimet e rritjes?!
Është njësoj si të thuash, do të rrisim ekonominë, por nuk e dimë akoma se si do ta rrisim…
A nuk është edhe kjo një tallje arrogante?!
Kryeministrit, nëse i ka mbetur pranë ndonjë ekonomist duhet t’ja kujtoj që në vitin 2008 rritja ekonomike ka qënë mbi 8 % e GDP-se, dhe përsëri shqiptarët kërkojnë më shumë, sepse janë akoma shumë mbrapa vëndeve të vërteta europiane dhe jetojnë më shumti në një varfëri të thellë.
Edhe po ta marrim të mirëqënë këtë rritje të mundshme, për ne si LSI, çështja më e rëndësishme nuk është shifra në vetvete, Ne na intereson të dimë, se ku perfundon kjo rritje?!
Në xhepat e majmë të klientëve të Kryeministrit, apo në xhepat e hollë dhe te çpuar të qytetarëve?
Sepse si mund ti besohet kësaj qeverie kur thotë se 60 mijë shqiptarë kanë dalë nga varfëria dhe mbi 30 mijë të tjerë kanë dalë nga skamja esktreme në vitet 2013-2017, vetëm e vetëm se paskan shkurtuar numrin e familjeve që janë pjesë e skemës së ndihmës ekonomike dhe asistencës sociale, me arsyen qesharake se këto familje posedojnë një televizor…
Një televizor i përdorur nuk i bën njerëzit më të pasur.
Të nderuar kolegë!
Të dashur qytetarë!
Reforma është fjala më e keqpërdorur në këto vite…
Por si mund të konsiderohet një reformë, e aq më tepër një reformë e suksesshme, në rastin e pagesës së energjisë elektrike, ku dhjetëra qytetarë të papunë, të vobektë, të pashpresë kryen dëshpërimisht vetvrasje nga pamundësia për të paguar borxhet e grumbulluara ndër vite, kurse nga ana tjetër biznesmenë të fuqishëm, me një telefonatë shuan dhe bën “0” milionat e borxheve, që kishin ndaj OSSHE??!
A është e drejtë kjo?
A mund të jetë një qeverisje e majtë, sociale dhe solidare ?
Dhe çfarë ndodhi, në të vërtetë?
Amnistia tatimore
Adminstrata tatimore thjesht “nxorri dhjam nga pleshti”, duke shtrydhur më të varfërit dhe më nevojtarët deri në qindarkën e fundit të detyrimeve, ndërkohë që oligarkët “elefantë” mbeten të patrazuar në evazionin e tyre fiskal duke shtuar lluksin e shfrenuar dhe duke e bërë të rrezikshme provokimin social, që shkakton pabarazia e thellë dhe polarizimi i shoqërisë.
Sepse dihet mirë dukuria e polarizimit social. Shoqëritë më të polarizuara, janë shoqëritë në vëndet më të varfëra dhe që janë njëkohësisht vëndet më problematike dhe më të destabilizuara.
Nga ana tjetër, Koncesionet klienteliste dhe abuzive, të amballazhuara si PPP, janë taksa më e lartë që paguajnë sot shqiptarët. Një taksë e fshehur kjo, që rëndon dhe do të rëndojë vit pas viti në xhepat e shqiptarëve, sepse janë konçesione shumëvjeçare, që marrin peng edhe të ardhmen tonë.
Tashmë 300 milion euro peshojnë akoma në shpatullat e dobët të taksapaguesve shqiptarë vetëm në sektorin e shëndetësisë.
Sikur shqiptarët sot të paguanin më pak ose të ishin më të shëndetshëm , këto koncesione do të ishin histori suksesi. Por sot, këtë “mega-vjedhje” e di i madh dhe i vogël në Shqipëri dhe nuk është aspak më një sekret.
Mirëpo edhe nëse shqiptarët nuk e kanë kuptuar ende, ne jemi këtu për ti treguar se kjo qeveri ka për qëllim, vetëm pasurimin e 3-4 klientëve të saj dhe duke e bërë këtë në kurriz të atyre shqiptarëve që paguajnë taksa. Edi Rama pretendon se me këtë fletushkë, mbushur me gënjeshtra, do t’iu vijë në ndihmë të rinjve.
Borxhi publik
Nga ana tjetër, borxhi publik pasi kapërceu frikshëm nga 63% ne 2013 dhe që është në gati 72% të GDP-së në 2015, vijon të thellohet në një spirale ekonomike që i ngjan një aventure të rrezikshme…Paratë që u çliruan nga rritja e borxhit, nuk kanë dhënë një impakt rritës në ekonomi, nuk u shndërruan në investime publike dhe në punësim!
Pra u rrit borxhi I shqiptarëve dhe brezave të ardhshëm me mbi 1 miliard euro, të cilat shkuan më së shumti, për bojatisje fasadash dhe vendosje pllakash nëpër sheshe qytetesh… Ndërsa na premtohet përmes fletushkës programore të qeverisë se do të shkojë sërish në 60% në fund të mandatit….
Një premtim ky, krejt i pabesueshëm, ashtu si 4 vjet më parë me 300.000 vëndet e punës dhe shëndetësia falas për të gjithë…
Bujqësia
Si mund të konsiderohet bujqësia si sektor prioritar në këtë pamfletë të quajtur “program qeverisës” kur sërish Kryeministri premton 50 milion euro në vit për 4 vitet e ardhshme, një shifër që është akoma më modeste sesa buxheti i këtij viti për bujqësinë? Ndoshta Kryeministri nuk i kupton shifrat, por me bujqësinë merret më shumë sesa gjysma e qytetarëve tanë që janë në tregun e punës…është e trishtueshme që bujqësia financohet aq sa kushtojnë 3 sheshe të rilindjes urbane!
Turizmi
Për turizmin dje kryeministri u tha shqiptarëve mos planifikoni pushime jashtë vendit vitin tjetër, se do të ndodhë mrekullia, kur vetëm këtë vit në pikun e sezonit turistik të paktën 3 herë vetëm në Sarandë dhe Ksamil u canë tubacionet e ujërave të zeza??? Për çfarë turizmi e ka fjalën? Për atë bukuri që na ka ka falur Zoti, apo për masakrën që akoma vazhdojnë ta bëjnë njerëzit dhe pushteti dhe kur qeveria rri duarkryq? Çfarë imazhi japim ne kur investimet abuzive me paratë e shqiptarëve dhurojnë këto shfaqje të shëmtuara jo vetëm për turistët e huaj por pikë së pari për qytetarët tanë?
Dixhitalzimi i administratës
Po trumbetohet me të madhe për një administratë moderne dhe dixhitalizim të shërbimeve publike.
Kryeministri duhet të bëjë transparente sa miliona euro janë shpenzuar nga buxheti i shtetit dhe janë marrë kredi (të paktën 40 milion euro) me qëllim dixhitalizimin, inovacionin dhe modernizimin e shërbimeve publike. Ku kanë përfunduar këto para? Pse pas 4 vitesh themi që kemi nevojë për një reformë në administratën publike kur kishim një Ministri për këtë qëllim dhe u hodhën lumë miliona euro pa impakt? Mos duhet të harxhojmë edhe qindra miliona euro të tjera në eksperimente me administratën tonë, apo taksapaguesit shqiptarë të vazhdojnë të paguajnë përsëri për shkarkimet masive që parashikohet të bëjnë? A ka gjë më të papërgjegjshme sesa të tmerrohet e gjithë administrata dhe të paralizohen shërbimet për publikun se një Kryeministër nuk di si të qeverisë?
Lufta kundër drogës
Si mund të konsiderohet “punë e mbaruar” dhe sukses lufta kundër kanabisit dhe drogës kur dhjetëra ton po kapen çdo muaj në vëndet fqinjë?
Si mund të krekoset kjo qeveri se kemi rikthyer rendin publik ku bandat kriminale blejnë “varfërinë” e shqiptarëve përmes votës dhe ku“kriminelët me kollare” dhe oligarkët kanë kapur prej fyti sistemin tonë ekonomik dhe financiar?
Çfarë duhet të ndodhë më shumë, kur vëndet Europiane po alarmohen për kërcënimin e frikshëm që vjen nga lumenjtë e drogës dhe aktiviteti i krimit të organizuar me burim Shqipërinë?
Si mund të flasi qeveria shqiptare për suksese në avancimin drejt BE-së, ku disa shtete si Hollanda dhe Franca, pikërisht për shkak të këtyre problemeve po diskutojnë mundësinë e rikthimit të regjimit të vizave për shqiptarët, të cilët me aq mund ja arritën ta fitonin këtë të drejtë 7 vite më parë.
Cfarë sigurie ka për jetën një qytetar i thjeshtë në këtë vend, kur në mes të ditës një zyrtare, një gjykatëse që supozohej të kishte urdhër mbrojtje, ishte e pafuqishme dhe pati fatin e keq të ishte viktimë e shurdhërisë, verbërisë dhe agonisë së këtij shteti? (J.V/Shuplaka)