Nga Prof.Asoc. Panajot Barka
Këngëtarja Eda Zari e muzikës Jazz, organizon me datë 7 dhe 8 korrik një festival ndërkombëtar Jazz & Wine në Palermo të Himarës dhe është ky festivali i dytë i organizuar prej saj. Deri këtu nuk ka asnjë gjë të keqe. Madje është një lajm i mirë.
Problemi është se këngëtarja me origjinë nga Përmeti, për të promovuar sa më “shndritshëm” suksesin e saj të pritshëm i serviri publikut një video kushtuar performacës së repertorit të saj, regjistruar në një kishë ortodokse. Pamjet tregojnë se bëhet fjalë për një kishë monument kulture në Berat, atje ku kjo këngëtare organizoi edhe festivalin e saj të parë Jazz në Shqipëri. Po ashtu ajo që vihet re është popullariteti që i jepet në media “eventit” të “Jazz-it në një kishë ortokse. (Foto egzistojnë dhe në profilin e saj në FB)
Ajo që dua të them unë që në fillim, është se kjo ngarje përbën një incident shumë të rëndë dhe nuk mund të përmblidhet thjesht me termin e njohur, “provokim”, i cili fatkeqësisht nuk përbën më, as lajm.
Po, është një sakrilegj, por shumë dimensional. Përbën një provokim për dinjitetin fetar të çdo njeriu. Ndodh akti i patolerueshëm si nga pikëpamja institucionale edhe morale, siç është ai i poshtërimit të një objekti kulti fetar, për më tej, i shpallur monument kulture. Përbën një provokim për vetë identitetin kulturor e civilizues të çdo individi. Ku është parë që në mjediset e një objekti kulti fetar, i shpallur monument kulture, të luhet muzikë dhe aq më keq, muzikë Jazz-i, muzikë provokuese për natyrën e fesë ortodokse.
Pak kohë më parë “stilistët” e bukurisë femërore në mënyrën më të patolerueshme të mundshme, sfiduan po prap institucionin e kishës ortodokse duke futur Miss-et të pozojnë gjysëm lakuriq në vendet më të shenjta të objekteve të kultit ortodoks.
Rasti i fundit përbën një akt tjetër, më kulmor, që vërteton se bashkëjetesa fetare në Shqipëri, një realitet aq shumë i referuar si vlerë sfiduese me karakter ndërkombëtar, ngrihet me bazë ateizmin dhe me vlerë në ngritje përçmimin dhe poshtërimin, të paktën e fesë ortodokse.
Nuk vërtetohet asnjë rast që të ketë ndodhur ndonjë akt i tillë me objektet fetare të ndonjë komuniteti tjetër fetar në vend, aq më tepër nga njerëzit e besimit ortodoks. Përkundrazi! Ka me dhjetra raste që vërtetojnë se feja ortodokse në Shqipëri edhe pas 30 vjet tranzicioni, po vuan kalvarin e saj të rehabilitimit, i shprehur në formën e vet më të keq, atë të përndjekjes.
Ajo së pari, është kthyer në objekt sulmi (pretenduar si marrje në mbrojtje nga synimet e vendeve ortodokse fqinje). Ky zell tregohet nga individë të përkatësive fetare jo ortodokse ose dhe ateiste dhe zhvillohet në emër të forcimit të nacionalizmit shqiptar, të vënë sipas tyre, në rrezik nga fqinjët, duke përdorur për këtë kishën ortodokse. Kishat dhe objektet e tjera të kultit ortodoks, si të asnjë komuniteti tjetër fetar në vend, janë pre e përdhosjes, grabitja e vlerave kulturore të trashëgimisë fetare ortodokse përbën një monolog pa fund. Shkatërrimi i këtyre objekteve apo dhe vlerave të tjera kulturore fetare, afreskët, ikonat është kthyer në një sakrilegj identifikues të antivlerave. Përpjekjet për të devijuar identitetin e vet (ngjarjet në kishën e Dhërmiut), përdorimi i dhunës nga segmentë privatë në emër të ligjit, (ngjarjet në kishën e Përmetit), tendecioziteti minimizues në regjistrimin e popullsisë, statusi i dyshimtë në marrëdhëniet shtet – KOASH përsa u përket objekteve të kultit monumente kulture të fesë ortodokse e plotë akte të tjera, tregojnë për një presion në vijimësi mbi ortodoksët në Shqipëri, saqë ata preferojnë të heshtin, të distancohen nga kisha e tyre që të mos i identifikojnë me armiqtë e Shqipërisë etj. Kështu shpjegohet edhe heshtja fajësuese ndaj ngjarjes së fundit ierosilite, si të KOASH-it zyrtar, të shtetit si garant i mbrojtjës dhe respektimit të së drejtës fetare, të autoriteteve të tjera me besimin ortodoks, “të intelektualeve” apo dhe të përfaqësuesve të besimeve të tjera.
Unë besoj shumë se nëse një diçka e ngjashme do të ndodhte me ndonjë besim tjetër fetar në Shqipëri, do të ishte bërë nami dhe politikanët dhe medjat do të kishin harruar edhe vet zgjedhjet.(!)
Në Shqipëri duhet kuptuar qartë se nëse sot vendi ka një vlerë diakronike dhe njëkohësisht të gjallë, një vlerë që vjen nga e shkuara dhe ruan aftësinë funksionale për të tashmën dhe të ardhmën, ajo eshte kultura fetare ortodokse. Por kjo kulturë mund të rrezatojë vlerë dhe për çdo fushë tjetër të spektrit shoqëror, vetëm brenda funksionit të vet shpirtëror që është misioni fetar, ai i fesë ortodokse.
Çdo përpjekje tjetër, promovuese (turistike, muzeale, artistike), apo shkatërruese (pasojë e identifikimit me vend armik), përbën antivlerë. Përbën mungesë kulturecivile, (si respekt për vlerat e tjetrit), madje në një segment shumë delikat siç është feja. Përpjekja për të përdorur një objekt i kultit të fesë ortodokse për të promovuar “vlerat” muzikore të një këngëtareje, ciladoqoftë ajo, aq më keq kur akuzohet se ka dhunuar edhe nënën e vet, tejkalon edhe nivelin kulturor më të zakonshëm. Tejkalon madje edhe qëndrimet e sistemit komunist ndaj fesë në përgjithësi dhe asaj ortodokse në veçanti…. Vetëm sistemi komunist kishte guxuar t’i kthente kishat në vatra kulture….
Ose, akte të kësaj natyre në dëm të ndjeshmerive publike sublime, tregon se në Shqipëri nuk tentohet për të krijuar një model të ri vlerash. Rimerret modeli i vlerave të sistemit komunist që kërkonte evidentimin “e vlerave” të veta duke shkatërruar, mohuar e përdhosur vlerat që kishin krijuar breza të tëra në shekuj. Ndërkohë që përsa i përket marrëdhënieve me fenë ortodokse, tejkaluam për nga guximi edhe perandorinë Otomane./SHUPLAKA