Kthimi në shkollë apo vajtja në klasë të parë zgjojnë ndjesi të përziera te fëmijët dhe prindërit.
Te shumica e fëmijëve, emocionet e fillimit të shkollës fillojnë gjatë dy javëve të fundit të pushimeve verore dhe vërtiten rreth shkallës së vështirësisë së lëndëve, ngarkesës ende të panjohur me detyra, përcaktimi i mësuesve të lëndëve, te “karakteristikat” negative të disa mësuesve të njohur nga viti i kaluar, te shokët e klasës dhe sjellja e tyre, te “pikat e dobëta” të vetë fëmijëve, etj.
Shumica e prindërve (53%) që kam pyetur, thonë se detyrat e shtëpisë u shkaktojnë shumë stres fëmijëve. Fëmijët shfaqin shenja nervozizmi, dobësim oreksi, ndonjëherë të qara, dridhje duarsh, marrje mendsh, pagjumësi, dhimbje koke, të përziera, nerva të acaruara etj.
Fëmijët kthehen nga shkolla të mërzitur, me nerva dhe nuk kanë lidhje me ata fëmijë që përcollët në mëngjes për në shkollë. Çfarë ka ndodhur? Fëmijët kthehen (apo shkojnë për herë të parë) në shkollë pas pushimeve, ndryshojnë orarin e zgjimit dhe të rënies për të fjetur, nëse kanë uri nuk mund të konsumojnë ushqim sa herë që dëshirojnë si më parë kur ishin me pushime, madje as tualetin nuk mund ta përdorin sa herë që dëshirojnë dhe pa ndërprerë orën e mësimit dhe nuk mund të rrinë rehat në dhomën apo krevatin e vet, mbështetur mbi jastëkët e butë apo te mami e nëna (kjo veçanërisht te moshat e vogla).
Tani duhet të presin radhën dhe lejen e miratuar nga mësuesja për të folur e për të shprehur mendimin e tyre. Të gjitha këto ndryshime që ndodhin me fillimin e shkollës, i acarojnë (në mënyra dhe shkallë të ndryshme) fëmijët dhe ata e shfryjnë të gjithë ngarkesën emocionale kur kthehen në shtëpi, aty ku janë njerëzit e dashur dhe ku ata ndiejnë dhe kërkojnë siguri. Fëmijëve u duhet pak kohë për të kaluar nga gjendja e shkollës te gjendja e shtëpisë së dashur, kështu që sapo të qetësohen, ata e kanë më të lehtë për t’u shprehur./Living