Anëtari i kryesisë së PD Gent Malko ka thënë se arsyeja pse nuk refuzoi të bashkohej me grupin e punës për ndryshimin e statutit të partisë propozuar nga Basha, është sepse nuk mund të tërhiqej nga mundësia për të artikuluar kritikat institucionalisht.
Malko tha se zhvillimi i mbledhjes së sotme të Kryesisë së Partisë Demokratike ishte i ndryshëm nga axhenda e parashikuar dy ditë më parë.
Sipas Malkos, në axhendë ishte parashikuar një takim rutinë, ku çdo anëtar mund të thoshte të vetat dhe pastaj të lihej një datë për mbledhjen e Këshillit e më pas të Kuvendit Kombëtar. Por fakti që kreu demokrat Basha bëri një ndryshim të paparashikuar duke propozuar ngritjen e grupit të punës për ndryshimet statutore, sipas Malkos ishte i paplanifikuar dhe siç u shpreh ai në fund të intervistës me gazetarin Bledian Koka, “do të ketë zhvillime interesante”.
“Pyetjes së gazetarit se përse ai nuk veproi si Imami duke refuzuar pjesëmarrjen në grupin e punës për ndryshimin e Statutit të PD, Malko iu përgjigj duke thënë se ky grup është e vetmja mënyrë që ai të artikulojë kritikat e tij ndaj Bashës, në mënyrë institucionale.
“Ka qenë një propozim. Nuk mund t’i thuash jo nëse përballë të vendoset një propozim për të vijuar në mënyrë institucionale kritikën.
Propozimi i Bashës ishte që puna e grupit nuk do të ngelte vetëm në ndryshimet statutore, por Basha do të përmblidhte të gjithë platformat e propozuese të të gjithë përfaqësuesve në parti.” – tha Malko.
Gent Malko tha se nuk ka mënyrë më të mirë për të prishur punët e diskutimin sesa duke ngritur një grup teknicienësh që e bëjnë debatin të pakuptueshëm, duke iu referuar në këtë rast dyshimit se mos grupi i punës propozuar nga Basha, ngelet vetëm në çështjet e Statutit.
Por sipas Malkos:
“Nëse grupi i punës do të ketë temë mbledhjen e platformave të të gjithë kontribuesve në një propozim që Kuvendi Kombëtar do ta miratojë, atëherë do të ishte heqje dorë nga përgjegjësia nëse do të refuzoja.”
Gjthashtu anëtari i kryesisë së PD, Malko tha se Këshilli Kombëtar i partisë duhet të mblidhet para Kuvendit Kombëtar në respekt të hierarkisë institucionale.
Malko theksoi se qëndrimi i sotëm i Lulzim Bashës ishte “100% i ndryshëm” nga qëndrimi i para dy ditëve në përgjigje të deklaratës së Astrit Patozit për një dalje të mundshme të grupit kritik ndaj Bashës, në një parti të re.
(E.L/Faxweb)