Analisti i njohur Andi Bushati komenton vendimin e Kryeministrit Edi Rama për të shkarkuar nga detyra katër ministrat, Saimir Tahirin, Bledi Çuçin, Ilir Beqajn, dhe Blendi Klosi. Sipas Bushatit, një ndër faktorët që çuan në shkarkimin e Tahirit, ka qenë kryetari i Kuvendit Ilir Meta, i cili prej kohësh e kërkonte largimin e tij.
“Pas kësaj lëvizje çdo ministër e di që nëse Ilir Meta dhe të tijët fillojnë e destabilizojnë ai nuk e ka më jetën të gjatë. Pra, sa të kemi një qeveri Rama-Meta për fatin e ministrave vendos edhe Ilir Meta. Të gjithë e dimë sulmin frontal ndaj Tahirit, që nga futja e ushtrisë për të luftuar kanabisin e deri tek policët që përgjonin ministrat e LSI. LSI e sulmoi dhe në fund arriti ta marrë kokën e tij. Çdo ministër e di që tani e tutje duhet t’i bindet sa Ramës, aq edhe Metës. Afrimi i sotëm Rama-Meta i ngjan dy njerëzve që i lidh një krim, pra, kurbani i Tahirit. Mund të duken më të fortë për interesin e njëri-tjetrit por para qytetarëve janë më të dobët.”, tha Bushati.
Më tej, sipas Bushatit një rol të rëndësishëm për shkarkimin e Tahirit ka patur edhe faktori ndërkombëtar.
“Pra, presion mbi Ramën ka ushtruar edhe faktori ndërkombëtar. Ushtrojnë presion tek ai që është i prirur ta hajë më shumë presionin. Fakti që Tahiri u shkarkua direkt pasi Rama erdhi nga Berlini mund të jetë presion ndërkombëtar. Rama është në kaos, në një pikë që nuk di ç’të bëjë, po të analizojmë sjelljen e tij që nga dita kur hoqi Tahirin. Lajmi për Tahirin doli të shtunën se do dorëhiqet apo shkarkohet. Pastaj thuhej nga zyra e shtypit mos e nxirrni lajmin, pastaj që po ikin të gjithë ministrat që janë drejtues qarqesh, pastaj Tahiri tha as ma ka kërkuar, as ja kam premtuar njeriu dorëheqjen. E gjithë kjo ekspoze tregon se ka pasur ankth, se si ky veprim do i shitej publikut. Këto veprime të marra në situatë kaotike, gjithmonë të sjellin këto pasoja. Turp për ketë qeveri që nuk ka një version serioz se pse i hoqi këta ministra. Shoferi (Rama) ka marrë një vendim absurd dhe askush nuk e pyet pse i hoqi. Ia servir shqiptarëve si reformator dhe pastaj i thua më duhet për një qark. Ka diçka që nuk shkon, dhe ajo që nuk shkon më shumë është se askush brenda Rilindjes nuk i kërkon llogari Ramës.”, shton Bushati.
Analisti ndan mendimin se kreu i LSI-së Meta, po bën një lojë të tillë dhe po e godet Ramën që të humbasë çdo ditë e më shumë. Këtë Bushati e argumenton me ngjarjen e para dy ditëve, ku ministrja Klajda Gjosha dhe Edmond Panariti deklaruan se kërkojnë që Meta të bëhet kryeministër.
“Padyshim që Meta do të dojë të jetë kryeministër por mendoj se qëllimi kryesor i tij, strategjia që përdor përherë është që sa herë Rama është në vështirësi t’i heqë nga një tullë. Në ditën që Rama po riformatonte qeverinë, dalin dy ministra të LSI dhe thonë duam Metën kryeministër.
Strategjia e Metës ta godasë Ramën ose ta lërë të humbasë çdo ditë e më shumë. Pak a shumë e njëjta situatë kur po goditej Tahiri. Dilnin ministrat e LSI dhe flsinin për drogën. U duk se Rama thotë hajt se po dorëzohem dhe po ua jap kokën e Tahirit, pastaj dalin ministrat e LSI dhe thonë dale se ne duam Metën kryeministër. Duan të bëjnë leckë Edi Ramën.”, shprehet analisti. (D.D/Shuplaka)