Analisti Agron Gjekmarkaj shkruan se Rama duket i relaksuar në këtë fushatë dhe se argumentat kundër kundërshatarit kryesor Basha ngjajnë si ledhatime.
Kjo sipas tij është mister por nuk dihet ende nëse marrëveshja e 18 majit ka lënë një aneksa për bashkëqeverisje PD-PS.
“Ai shfaqet i relaksuar, i sigurt dhe i qetë siç nuk e ka pasur kurrë zakon. Shigjetimet ndaj kundërshtarit ngjajnë më shumë si ledhatime. Nuk e dimë nëse marrëveshja që mundësoi ndalimin e protestës opozitare dhe futjen e saj në zgjedhje ka ndonjë aneks bashkëqeverisjeje. Deri tani ajo është e dobishme. Misteri vigjelon mbi të si fjala e Zotit. Muajt e ardhshëm do ta tregojnë dhe shumë gjëra të tjera që sot tingëllojnë si habira”,-shkruan Gjekmarkaj.
Shkrimi i Gjekmarkajt:
Edi Rama ka filluar një fushatë të pazakontë në formë dhe përmbajtje. Ai shfaqet disa herë në ditë ngjitur mbi podiume ku kokat e njerëzve mbërrijnë te thembrat e tij. Ky është projektimi i distancës mes Kryeministrit dhe popullit, i cili ka të drejtë ta këqyrë atë veç nga poshtë si ministrat e tij, disa syresh tanimë ish. Ata veçse të brohorasin duhet që herë pas here t’i gjakosin pëllëmbët mbi ato dërrasa plot me biegza për të krijuar mpiksje mes liderit dhe turmës teksa ai nga fundi i fjalimit si pa të keq vikat Shqipëria, Shqipëria, “kjo nënë e rrebtë bijësh të ashpër” do të shungullonte Bajroni.
Mitingashët ende të pamësuar me atdhedashuri hutohen pakëz, pastaj qërojnë zërin dhe bien theror me piskama për “nënën” siç do të thoshte Fan Noli. Për ata që nuk e dinë dhe për ata që e kanë harruar, u duhet thënë dhe kujtuar se kjo nuk është ndonjë gjetje origjinale e Edi Ramës. Aspak! Nëse bjerrim pak kohë dhe shohim dokumentarë historikë mbi ngjitjen e Hitlerit në pushtet do të dallojmë skenografi të ngjashme. Fyhreri dhe turma nën thirrjet Gjermania, Gjermania!
Në 2009, Rama do të kopjonte Musolinin, i cili në vitin 1929 u shfaq i zhveshur në mes e përpjetë duke korrur grurë në Sicili. Lideri i Opozitës së atëhershme me një kosë në dorë për 30 ditë gjysmë lakuriq mundohej të joshte burra e gra me një spot elektoral që nuk i solli shumë dobi përballë Sali Berishës në kostum e kollare.
Me gjasë shkrimtari aristokrat Tom Lampeduza, kur shkruante “Il Gatopardo”, diç paska ditur kur thoshte “ndryshon gjithçka për të mos ndryshuar asgjë”! Nejse të mos e ekzagjerojmë se Rama ynë nuk është as Duçe e as Hitler. Një kopjac i vogël province mbase po. Edhe nëse i regëtin në rradake të bëhet i tillë, e di fort mirë që s’bëhet. Ajo çka bie në sy me shushatje është fakti që Rama as nuk bën analizë për katër vitet e qeverisjes së vet e as premton kurrgjë.
Ai nuk ka as bilanc e as rezultate. Tahirin apo Beqen nuk i merr me vete para kamerave me shpresën se harresa do t’i mbulojë me bujari. Ato çka premtoi katër vite më parë as që i zë me gojë nga frika mos i thahet pështyma. Ndryshe nga sa imagjinohej ku do të vazhdonte me tullumbace të reja për qindra mijëra vende pune, për autostrada e kantiere, porte e aeroporte, punësi e papunësi, mjekësi pa lek apo me lek.
Këto sifate i ka përvetësuar Petrit Vasili, njeri mjaft serioz, i cili i shtrënguar nga rrethanat bën premtime lozonjare që shkaktojnë buzëqeshje. Rama, mezallah as i bie atij krahu. Ai e ka ndryshuar krejtësisht ligjërimin e tij. Duhet pohuar se ka luftuar me veten dhe ka fituar që të mos shfaqet as arrogant për disa ditë duke çmeritur të madh e të vogël. Fushata e tij elektorale është një antologji barsaletash, hokash e qyfyresh, thumbash e shiharetesh, shkelje syri e stutuse me ojna në fb.
Derë më derë, oborr më oborr ku leh qen e ku del tym shfaqet duke ngrënë e pirë gjithë babaxhanllëk, tamam si ballistët, jo ata të vërtetët goxha burra, por ata të filmave të socrealizmit të kendelluar nga Kinostudio “Shqipëria e re”! Kamera kujdeset ta fiksojë vijon nga faqja 1 kur kafshon me neps një qepë të njomë apo kur rras një ulli në gojë pa e humbur fillin e bisedës. Domethënie e qartë, e pranon qeramin e fshatarëve si i barabartë nga njerzillëku, si njëri prej tyre.
Askush nuk duhet të habitet nëse ditëve në vijim do ta shohim duke therur ndonjë dash në sofër apo duke mbledhur vezë në qymez me kanistër në dorë i shoqëruar nga zonja e shtëpisë që i ankohet për tregun e vezëve prej të cilave nja 10 ia blen Edi, aty për aty duke i lënë edhe ndoca bakshish. Pastaj ato që nuk ua thotë direkt qytetarëve pse jo duke bërë bisedë filozofike edhe me ndonjë këndez të njomur nga vesa ia thotë atij që dëgjojnë ata.
Tani nuk pret që rrjetet sociale të bëjnë ironi me të, i del të keqes përpara, bën autoironi. Publikon foto ku shfaqet me dy gra të moshuara mbuluar me shami ku vetë ai i fotomontazhuar shfaqet me shami kandisur si ibreti alem. Këto nuk janë gjeste rastësore apo shaka, janë vetë fushata e re e Edi Ramës. Të luash me hiçin. Ndonëse as kërkon falje, as jep shpjegime për dështimet spektakolare, veç sokëllin herë pas here “ne bëjmë shtet” dhe as premton gjësend një kërkesë modeste e ka.
Më jepni 71 mandate thotë se dua makinë me një timon. Arsyeja duket sekret. Sikur ishte mungesa e mandateve që e bleroi me hashash vendin, sikur ishte mungesa e mandateve që u dha koncesionet qindra milionë euroshe miqve të vet, sikur ishte mungesa e mandateve që e bëri atë të zgjedhë bashkëpunëtorë me rekorde kriminale! Por ai e provon. Kësaj here e ka me rixha për të na thënë më pas… ju kërkova, s’m’i dhatë. Ju dola borxhit, tani haram e paçi se kam tjetër hesap.
Ai po na thotë, s’bëra ndonjë gjë këto katër vite që shkuan, po ja më shikoni, jam shpirt njeriu, jam vetë populli, si ju e njëri nga ju, hë ju bën zemra të më votoni kundra, duket sikur pyet përvujtnia e tij e thekur? Nuk e pat nisur kështu. E ndërroi rrugës pas marrëveshjes me liderin e opozitës më 18 maj. Kjo është një fushatë e çuditshme dhe fyese. Rama vetëm naiv nuk është dhe duket aktor i keq kur tenton ta luajë këtë rol. Ku e ka ai sigurinë pas një qeverisjeje kaq të keqe dhe të një fushate allasoj?
Ai shfaqet i relaksuar, i sigurt dhe i qetë siç nuk e ka pasur kurrë zakon. Shigjetimet ndaj kundërshtarit ngjajnë më shumë si ledhatime. Nuk e dimë nëse marrëveshja që mundësoi ndalimin e protestës opozitare dhe futjen e saj në zgjedhje ka ndonjë aneks bashkëqeverisjeje. Deri tani ajo është e dobishme. Misteri vigjelon mbi të si fjala e Zotit. Muajt e ardhshëm do ta tregojnë dhe shumë gjëra të tjera që sot tingëllojnë si habira.
Ata që do rreshtohen kundër bashkëqeverisjes nëse do ketë të tillë (nuk duhet ta marrim të mirëqenë), automatikisht do të shpallen si armiqtë e rinj të atdheut, të integrimit, të Europës e të rehatisë sociale. Dita dhe java janë ato që po na bindin se Kryeministri vërdalloset katund më katund si ashik i përflakur duke mërmëritur arjen shkodrane “Në zaman të asaj furie”! I takon Lulzim Bashës të vendosë nëse do ta bëjë me nderru muzikë dhe tekst apo do të bëjë duet.
(M.D/Shuplaka)