Gjatë ndjekjes së votimit në sallë më mbërrin në celular një foto e akademikëve ku dukeshin brenevekët e tyre futur në çorape. M’u duk meskine të përdorej ajo foto për të treguar se sa e ”plakur” është akademia, por tek e fundit për ata që nuk duan t’ia dinë nëse ekziston apo jo, nëse ky vend bën shkencë apo bën sikur bën, është i vetmi imazh që e përçon mesazhin shpejt, ashtu si një foto tjetër shpërndarë rrjeteve sociale me akademikë që dremiten gjatë procesit të votimit.
Pse është ”plakur” Akademia e Shkencave? Pse ajo nuk prodhon më? Pse një grup akademikësh të nderuar janë të interesuar të ruajnë status quonë? Pse një grup tjetër nuk e ngrenë zërin edhe pse voton kundër kandidaturave që kanë uzurpuar drejtimin? Pse kryeministri po kërcënon me prerje fondesh dhe marrje godine? Dhe ç’është më e rëndësishmja a duhet të vazhdojë të ekzistojë Akademia e Shkencave?
Votim brilant në heshtje të plotë
Votim brilant, i ndjekur nga dhjetra gazetarë. Ndoshta kjo ishte ngjarja më e bujshme e këtyre viteve të fundit prodhuar nga vetë akademia, përveç lajmeve për ndarje nga jeta e akademikëve të njohur. Po a do të qe e tillë në rast se akademiku Artan Fuga nuk do të kishte ngritur zërin dhe kryeministri Edi Rama nuk do t’i kishte kërcënuar?! Me gjasë jo. Ne medieve as do na kishte rënë në sy që akademia nuk po funksionon, aq më pak qytetarëve që kanë halle edhe më të mëdha.
Një mizaskenë groteske kjo e sotmja. Pa debat. Ku të vetmet pyetje ishin rreth procedurës së votimit dhe demostrimi i frikës nëse vota iu dilte e pavlefshme. 22 akademikë me gojë kyçur. Asnjë pyetje rreth platformës dhe planit që kandidati i vetëm për kryetar, Akademik Gudar Beqiraj kishte. Asnjë pyetje pse kishte vetëm një kandidat. Heshtje totale. Një konfirmim, shoqëruar me kënaqësinë e status quo-së që akademik Beqiraj dhe akademik Korkuti do vazhdonin të gëzonin, përzier me kënaqësinë e akademikëve të asociuar që bëheshin akademikë. Të vetmet detaje që binin në sy dhe që duheshin përgëzuar qenë ngjyrat e fletëve të votimit.
9 akademikë votuan në distancë, kurse Fuga iu ktheu mbrapsht një zarf bosh. Bashkë me Fugën, rebeluan sot edhe 3-4 syresh, por duke votuar alternativën ”JO”: akademikët nuk e deshën as kryetarin as nënkryetarin.
Zëvendëskryetari bëhet kryetar dhe kryetari zëvendëskryetar-zgjedhjet farsë me kandidatët e përhershëm
Që prej 1998-ës kanë qenë vetëm dy emra që e kanë zotëruar akademinë: Muzafer Korkuti dhe Gudar Beqiraj. Kryetari është bërë zv.kryetar dhe zv.kryetari është bërë kryetar. Kësaj radhe ishte momenti i akademik Beqiraj për t’u zgjedhur. Pa patur asnjë kandidat përballë.
Në rreth 10 minuta fjalë para akademikëve, Beqiraj nuk harroi të falenderonte edhe Ramën ”për mbështetjen e fuqishme që u kishte dhënë”, sipas tij, duke të dhënë përshtypjen që nuk e kishte marrë me aq seriozitet statusin e kryeministrit, status që u pasua nga një i dytë edhe më agresiv: me ndërprerje fondesh.
Gudar Beqiraj u zgjodh kryetar me 28 vota pro dhe 3 kundër kurse zëvendëskryetari me 27 vota pro 3 kundër dhe 1 abstenim. Beqiraj, është një ish-peshëngritës diplomuar për matematikë dhe vite më vonë specializuar në Gjeostatistikë në Francë.
Muzafer Korkuti kësaj here u zgjodh zëvendëskryetar, duke i liruar vendin Beqirajt. Korkuti në vitet 2009-2010 ka qenë zv.kryetar, ndërsa kryetar në periudhën 2014-2017. Beqiraj zv.kryetar gjatë viteve 2008-2009, kryetar në periudhën 2009-2013 dhe në postin e zv.kryetarit në 4 vitet e fundit.
Katër akademikë të asociuar u bënë akademikë: Aurela Anastasi, Anesti Kondili, Kosta Bajraba dhe Efigjeni Kongjika.
Asnjë kandidat nuk sfidoi dy kandidatët e përhershëm në lidhjen simbiotike: kryetar – zëvendëskryetar.
”Platforma u paraqit shkurt, për më shumë e keni në dosje”, ndërhyri sekretari shkencor, drejtuesi i seancës së votimit akademik Vasil Tole për të justifikuar kohën e shkurtër që shfrytëzoi kryetari që u zgjodh me shumë pak kundërshti, Gudar Beqiraj.
Pse akademia nuk prodhon
Rreth 1 miliardë lekë të vjetra ka qenë buxheti i vitit 2016 për akademinë. Po si është matur puna dhe përdorimi që i është bërë parave publike? Si matet puna e akademikëve? Çfarë kërkimi shkencor kryejnë ata? Pse nuk ka debat publik me aktorë akademikët? Cilat revista shkencore që prodhojnë akademikët shiten? Ku shiten? Sa projekte merren? Cila është gjendja e bibliotekës së akademisë? A e përdorin atë shkencëtarët e rinj? A kanë mundësi që 32 akademikë, shumica mbi 60 vjeç, që të jenë pjesë e grupeve të mirëfillta të kërkimit shkencor apo thjesht mund ta orientojnë atë?!
Akademia nuk mund të funksionojë si qendër kërkimi shkencor: janë 32 akademikë, të cilët nuk i kanë mundësitë reale për të bërë kërkim shkencor. Akademia vetëm mund të bëjë shkencën e shkencës.
Cilat janë gjurmët për këtë konkluzion? Mjafton të shohim që konferencat shkencore realizuar nga kjo akademi janë më shumë përkujtimore. Ja cilat ka organizuar vitin që shkoi: ”Tish Daija në 90-vjetorin e lindjes”, ”Dritëro”, ”Shekulli i Kadaresë”, ”150-vjetori i lindjes së Ndre Mjedës” etj.
Sipas të dhënave të mbledhura disa akademikë, rreth 7 prej tyre janë edhe nëpunës administrate edhe në pension. A është kjo thyerje e ligjit kur parashikohet që një profesor del 68 vjeç në pension? Po me një akademik si duhet të funksionojë?
Nga ana tjetër 4 akademikë të rinj u votuan sot vetëm në bazë të emrave, pa një diskutim real për nevojat e fushave në Shqipëri. Pse akademikët që japin mësim raportojnë aktivitetet e tyre shkencore kryer në universitet edhe si punë të kryera në akademi?!
A ka një staf të fryrë ku edhe sekretari shkencor është akademik? A duhen lënë stafe energjike organizative të bëjnë punët e administratës dhe akademikët të bëjnë shkencën e shkencës? A ka ardhur koha e një modeli të ri akademie si ajo franceze apo angleze dhe jo e modelit të varësisë? A është shkenca bashkëpunim mes shkencëtarëve apo shkencëtarë që mblidhen thjesht në të njëjtën ambjent?! Nga ana tjetër si e mat suksesin akademia? Sa përqind të parave dhe GDP-së kthen mbrapsht në shoqërinë shqiptare?
Shkrirje apo reformim?
Akademik Artan Fuga mendon se është i mundur reformimi. Madje edhe tani pas zgjedhjeve farsë, mjafton që kryetari i sapozgjedhur të japë dorëheqjen.
Qeveria është më e prerë. Edi Rama deklaroi sot se asnjë fond nuk do të shkojë më për akademinë, duke premtuar se do t’ua japë universiteteve.
Kur akademikët ”nuk e vënë ujin në zjarr” për të ndalur farsën që zhvillohet brenda tyre, a mundet të hezitojë kryeministri Rama të vërë në punë ”fadromën”?! Aq më pak një kryeministër që i ka telendisur prej kohësh universitetet, profesorët, doktorët…
A ka mundësi që akademia të funksionojë ndarë nga farsa dhe status quo-ja që nuk sjell asnjë përparim?! Kur do ketë konkurim së paku mes dy kandidaturave që zhvillojnë debat real? A është e mundur që akademia të bëjë kërkim shkencor me grupe apo më e mundur të merret me strategjitë, vlerësimin dhe orientimet e mëdha të shkencës dhe kërkimin t’ua lërë universiteteve?! Kuptohet, askush në shoqërinë shqiptare nuk do t’u marrë nga dora akademikëve pagesat mujore që i meritojnë veçse për merita individuale. /Valmora Gogo-SHUPLAKA
[ngg_images source=”galleries” container_ids=”2702″ display_type=”photocrati-nextgen_basic_imagebrowser” ajax_pagination=”1″ order_by=”sortorder” order_direction=”ASC” returns=”included” maximum_entity_count=”500″]