Një fotografi e Kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj e vitit 2000 është shpërndarë sot nëpër portalet serbe.
Fotot e papublikuara më parë tregojnë lëndimet që Haradinaj kishte pësuar nga përleshja me forcat ruse menjëherë pas luftës në Kosovë. Fotografia është publikuar nga media serbe “Republika.rs”.
E dhe në vitin 2013 një organizatë serbe e quajtur “Srpski Narodni Pokret”, u kishte dërguar mediave në Serbi fotografi menjëherë pas sulmit që forcat ruse i kishin bërë Haradinajt.
Aty ishte dhënë edhe versioni i kësaj ngjarje ku thuhej gabimisht se gjithçka ka ndodhur në Mushtisht afër Suharekës e siç dihet përplasja kishte ndodhur në aksin Prishtinë-Pejë në afërsi të Klinës, transmeton lajmi.net.
“Njësia ruse pjesë e KFOR-it kishte ndaluar një veturë me terroristë të armatosur në mesin e të cilëve ishte edhe Haradinaj. Pasi që shumë shpejtë janë mposhtur dhe çarmatosur Haradinaj i ka thënë parashutistit rus se është xhudist dhe se do të bisedonin ndryshe po të mos ishte i armatosur”, thuhet në njoftimin e kësaj organizate nacionaliste serbe.
Më pas aty theksohej se ushtaraku rus kishte urdhëruar që t’i zgjidhen duart Haradinajt, ku edhe kishte filluar konfrontimi fizik mes tyre.