Drejtoria e policisë së Durrësit ka realizuar analizën vjetore të punës së kryer gjatë vitit 2016.
Sipas të dhënave të policisë, përgjatë vitit 2016, rastet e dhunës në familje në qarkun e Durrësit kanë pësuar një rritje të frikshme.
Në analizën vjetore thuhet që gjatë 2016-ës janë evidentuar 94 vepra penale që kanë lidhje me dhunën në familje, nga 34 që janë evidentuar në 2015-ën, pra rreth 3 herë më shumë raste nga viti që lamë pas.
Githashtu edhe numri i kërkesë-padive për urdhër mbrojtjeje ka shënuar një rritje alarmante në 2016-ën, pasi janë identifikuar plot 466 raste krahasuar me vetëm 23 të tilla në 2015-ën. Pra 20 herë më shumë.
Ndërkohë mësohet se numri i veprave penale në përgjithësi, të kryera gjatë vitit të shkuar, ka pësuar ulje në krahasim me vitin 2015.
“Gjatë vitit 2016, janë evidentuar e referuar në Prokurori, 3689 vepra penale, prej të cilave janë zbuluar 2982 vepra. Gjithsej autorë të proceduar 3157, nga të cilët 822 arrestuar, 36 ndaluar, 2037 në gjendje të lirë dhe 263 janë shpallur në kërkim.
Ndërsa, gjatë vitit 2015, janë evidentuar e referuar në Prokurori, 3730 vepra penale, prej të cilave janë zbuluar 3102 vepra. Gjithsej autorë të proceduar 3331, nga të cilët 850 arrestuar, 36 të ndaluar, 2249 në gjendje të lirë dhe 206 janë shpallur në kërkim.”, thuhet në njoftimin e policisë.
Mësohet se në këtë qark, në gjashtë mujorin e dytë të vitit 2016 nuk ka patur asnjë vrasje ndërsa në 6 mujorin e parë kanë ndodhur 6 të tilla. Ndërkohë ka pësuar ulje edhe numri i vjedhjeve në qark dhe është rritur edhe zbulueshmëria e tyre. (D.D/Shuplaka)
Discussion about this post