Në dekadën e fundit, përkatësisht për periudhën 2013-2023 volumi i mallrave mes Shqipërisë dhe Italisë në rrugë detare rezulton me rënie.
Përkatësisht nga 1,668 mijë ton që ishte volumi tregtar në 2013 në vitin 2023 arriti në 1,104 mijë ton. Rënie prej 4,9%. Ndërsa shkëmbimet tregtarë në vlerë të periudhës janë rritur 1 mld euro apo me 4,3%.
Gjetjet për ecurinë e tregtisë në rrugë detare mes dy shteteve për 1 dekadë janë publikuar në studimin “Ekonomia Detare në Shqipëri: një sektor strategjik për vendin” i kryer nga SRM, Qendra e Kërkimeve Ekonomike për Grupin Intesa Sanpaolo, dhe Intesa Sanpaolo Bank Albania.
Sipas raportit për njësi vlera e mallrave të tregtuara në rrugë detare, mes Italisë dhe Shqipërisë është rritur nga 1,2 euro për kg në 3 euro për kg apo 1,5 herë më shumë.
“Vlera e mallrave të tregtuara në rrugë detare ndërmjet Italisë dhe Shqipëria (3 euro për kg) konsiderohet më e lartë se vlera për njësi e mallrave mes Italisë dhe Europës (1,2 euro për kg)”, citohet në raport.
Vlera për njësi e mallrave ka shënuar rritje për të dyja llojet e tregtisë. Vlera e mallrave për eksport nga 1 euro për kg që ishte në 2013 ka arritur në 2,8 euro për kg në 2023. Rritja për njësi është 1,8 herë. Për importet rritja e vlerës së mallrave nga 1,7 euro për kg ka shkuar në 3,2 euro për kg. Rritja e së njëjtës periudhë është 88%.
Ndër të tjera në raport theksohet se pavarësisht rënies sasiore të eksporteve të Italisë drejt Shqipërisë, sërish shkëmbimet tregtare mes dy shteteve mbeten të balancuara.
Në terma sasiorë, importet e periudhës kanë mbetur pothuajse të qëndrueshme, me një rënie mesatare vjetore prej -0,8%. Eksportet e Italisë drejt Shqipërisë janë rritur me 36.5% në vlerë gjatë dekadës së fundit, në rritje nga rreth 1,2 mld euro në 2013 në 1,6 mld euro në vitin 2023, me një normë mesatare vjetore rritjeje prej 3,2%. Megjithatë, në aspektin sasior, eksportet janë ulur me 52% gjatë periudhës, me një rënie mesatare vjetore prej -7,0%.
Në raport vlerësohet se Shqipëria është një nga partnerët më të rëndësishëm tregtarë detarë të Italisë. Ajo renditet e 4-ta në mesin e partnerëve europianë të Italisë, me një vëllim tregtar prej rreth 3 mld euro në 2023.
Transporti detar përbën 89% të tregtisë ndërmjet Italisë dhe Shqipërisë (11,8% është pesha mesatare e transportit detar në total tregtia në Evropë), duke e bërë Shqipërinë të 2-in partner të Italisë në këtë rast. Në vëllim, transporti detar zë 94% të tregtisë mes Italisë dhe Shqipërisë./Monitor