Zbulohen të tjera detaje të rastit të Bilbil Hasanit, i cili u vetëvar në burgun 313 në Tiranë në Dhjetor 2019, pasi vuante nga probleme të shëndetit mendor.
Përpos faktit se kartela e tij mjekësore nuk ishte marrë parasysh nga OPGJ Garanda Gjeta dhe prokurorja Elina Kombi, duke kërkuar për të masën e sigurisë arrest në burg për një vjedhje ordinere, skandali thellohet më tej nga Gjykata e Apelit të Tiranës që e la sërish në burg të ndjerin Bilbil Hasani.
Emisioni “Stop” ka siguruar regjistrimin e seancës gjyqësore në Apel, ku faktohet se trupi gjykues ishte në dijeni për sëmundjen e të ndjerit, por në mënyrë të çuditshme la në fuqi vendimin e Shkallës së Parë “arrest me burg” për veprën penale “vjedhje e lehtë”.
Përpos kësaj, në atë seancë mungonte avokati i Bilbil Hasanit, dhe në një rast të tillë, gjyqtarja duhet ta kishte shtyrë seancën. Por, nuk ndodhi kështu. Kryesuesja e trupës gjykuese i caktoi Bilbil Hasanit një avokat kryesisht.
Audio-regjistrimi i seancës në Gjykatën e Apelit Tiranë, 26.11.2019:
Kryesuesja Maria Qirjazi: Jeni dakord me trupin gjykues?
I ndjeri Bilbil Hasani: Dakord!
Kryesuesja Maria Qirjazi: Bilbil, nuk keni zgjedhur avokat për sot. Më përpara keni pasur Vjollca Pustinën. Po për në Apel keni zgjedhur avokat?
I ndjeri Bilbil Hasani: Kam avokat, Saimir Vishën. Ai ma ka marrë cështjen përsipër.
Kryesuesja Maria Qirjazi: Si e ka marrë?!
I ndjeri Bilbil Hasani: Erdhi në datën 24 te burgu me prokuroren, i ka mbyll hetimet.
Kryesuesja Maria Qirjazi: Qartë! Po këtu, tani pse s’erdhi?
I ndjeri Bilbil Hasani: Edhe mbrëmë mori familja në telefon dhe më thanë mua, na ka marrë Vjollca Pustina, ke gjyq nesër. Nji të shku, të marrë në telefon, me t’i thënë Saimir kam gjyq nesër. Jo s’ke gjyq nesër, ne t’i kemi mbyll hetimet.
Kryesuesja Maria Qirjazi: Qartë, ok! Ajo është cështja, që vazhdon hetimi andej, po kjo është masa e sigurimit, që ke ankimuar këtu për arrestin me burg. Tani, në kushtet, që nuk të është paraqitur, ta caktojë gjykata kryesisht?
I ndjeri Bilbil Hasani: Po!
Kryesuesja Maria Qirjazi: Po! Atëherë prokuror dakord je?
Prokurori i Apelit: Dakord jemi!
Kryesuesja Maria Qirjazi: Atëherë, gjykata sipas Kodit të Procedurës cakton kryesisht avokatin.
Avokati kryesisht, Erion Kullolli: Prezencë avokati Erion Kullolli.
Kryesuesja Maria Qirjazi: Atëherë, ricelim seancën gjyqsore. Avokati i caktuar u njoh me aktet. Për më tepër avokati.
Avokati kryesisht, Erion Kullolli: Po e nderuar! Gjatë seancës, i qëndrojmë ankimit. I mbrojturi prej meje, me vendimin e KMCAP-së 3572, i është caktuar një pension paaftësie i grupit të dytë. Mendojmë, që masa “arrest me burg” nuk është normale dhe nuk i përshtatet nevojave të sigurimit. Përsa më sipër, i qëndrojmë ankimit dhe i kërkojmë gjykatës ndryshimin e masës së sigurimit nga “arrest me burg” në “detyrim paraqitjeje”, ose “arrest në shtëpi”.
Kryesuesja Maria Qirjazi: Po! Personi në hetim, Bilbil, jeni dakord me avokatin?
I ndjeri Bilbil Hasani: Dakord jam me avokatin.
Kryesuesja Maria Qirjazi: Bilbil, me se merresh ti? Ti je.. me…kemp?
I ndjeri Bilbil Hasani: Unë jam invalid mendor…,dal punoj, punë krahu, kush të marri në telefon.
Kryesuesja Maria Qirjazi: Qartë! Gjë tjetër? Je dakord me avokatin? S’ke gjë tjetër për të thënë?
I ndjeri Bilbil Hasani: Nuk kërkoj mëshirë.
Mjekja psikiatre që ka ndjekur vazhdimisht rastin e Bilbil Hasanit, thotë se në të tilla raste, këto çështje janë mbyllur edhe në Prokurori, pa shkuar dosja në Gjykatë.
Mjekja psikiatre Valentina Asabella: Për të gjithë personat që vuajnë nga probleme të shëndetit mendor, në momentin që ata kryejnë një vepër penale, dhe ndër veprat më të rënda që është vrasja, familjarët paraqiten këtu dhe ne ju vëmë në dispozicion dokumentacionin që vërteton që ai është i sëmurë. Pastaj për më tej merren ekspertët e mjekësisë ligjore. Për rastet e veprave penale të lehta ka pasur dhe raste kur çështja është mbyllur në Prokurori. Na kanë thirrur dhe ne mjekëve, mjekët specialistë që e ndiqnim, dhe është mbyllur aty pa kaluar në Gjykatë. Megjithatë, këtë s’mund ta vlerësoj unë nga ana ligjore, por ka pasur raste.
Pavarësisht se zyrtarisht është thënë se Bilbil Hasani u vetëvar në qeli, familjarët e të ndjerit kanë dyshime se paraburgimi 313 mund të ketë manipuluar ngjarjen. Bashkëshortja e Bilbilit tregon se ai kishte patur konflikte me dy të burgosur të tjerë, duke e vënë në dyshim versionin zyrtar të vetëvrasjes.
Bashkëshortja: Ai ishte shumë i shqetësuar aty brenda. I mbante lotët me zor prej meje se mos më shqetësonte mua. Brenda sa ka hyrë, kishte has me një çun më të ri se veten, ai sikur bënte ligjin aty te burgu ku ishte, dhe ai kishte televizor brenda. I kishte thënë burrit tim ma mbush me digitalb. Ai i kishte thënë mirë. Më mori në telefon dhe ia mbusha unë prej këtu. Në moment që ja ka mbushur, të nesërmen e ka nxjerrë nga dhoma. Ja bëri me sy, tha, roje që të më nxjerrë. Unë i thoja ruaju, largohu. Atë punë po bëj, tha, po s’po më lënë rehat. Kur kanë dalë në ajrosje, ata e kanë ofenduar. Edhe ky s’ka mbajtur më dhe ka shkuar i ka rënë atij çunit, i kishte rënë në grusht./tvklan.al