Pas shqyrtimit të dokumentacionit, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED) ka shpallur katër kandidatë për në Gjykatën Kushtetuese. Ata janë Arta Vorpsit, Besnik Muçit, Fiona Papajorgjit dhe Regleta Panajotit.
Ndërsa ka ndaluar kandidimin për Kushtetusen për 5 kandidatë të tjerë; Anila Gurit, Dedë Kasnecit, Ilir Mustafaj, pasi nuk kaloi vettingun, Mimoza Qinamit dhe Vladimir Gërmenjit. Përsa i përket postit për Inspektorin e Lartë të Drejtësisë u miratua lejimi i kandidimit të Artur Malajt, ndërsa u refuzua Altin Hazizaj dhe Mimoza Qinami, që ishte kandidate edhe për në Gjykatën Kushtetuese.
KED po ashtu sqaron se: “Vendimet lidhur me lejimin ose ndalimin e kandidimit të kandidates Fiona Papajorgji për vendin vakant, vakancë e parakohshme, të shpallur nga Kuvendi në datën 28.08.2018, të kandidatëve Elsa Toska dhe Gëzim Allaraj në vendet vakante për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese, si edhe për kandidaten Eris Hysi për vendin vakant të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, shtyhen për mbledhjen e radhës së Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.”
Po ashtu, Këshilli thekson se vendimet për lejimin ose ndalimin e kandidimit, do të publikohen të arsyetuara në faqen elektronike të Gjykatës së Lartë, në pjesën e caktuar për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi. Ndërkohë, pas këtij vendimi të KED-së pritet që emrat e kandidatëve në fillim të gushtit t’i drejtohen Kuvendit dhe Presidentit.
Kujtojmë se Gjykata Kushtetuese e cila është funksionale me 9 antarë, tashmë ka mbetur vetëm me 1 për shkak të përjashtimit të tyre nga procesi i vettingut. Kjo gjykatë pritet të jetë funksionale në muajin shtator, kur do të nisë nga puna duke shqyrtuar kërkesën e Partisë Socialiste për shkarkimin e kreut të shtetit Ilir Meta por dhe kërkesën e kryebashkiakes në ikje të Shkodrës, Voltana Ademi për shpalljen e pavlefshmërisë së 30 qershorit.
Njoftimi i plotë
Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED), në datën 24.07.2019, zhvilloi mbledhjen e radhës me këtë rend dite:
1 . Shqyrtimi i rasteve për gjetjet e deritanishme, në procedurën e verifikimit të një pjese të kandidatëve për vendet vakante për Gjykatën Kushtetuese dhe Inspektorin e Lartë të Drejtësisë.
2. Caktimi i ekspertit auditues ligjor të licencuar për dhënien e mendimit teknik lidhur me analizën financiare të nevojshme për disa aspekte të verifikimit të pasurisë së një kandidati për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese.
Shqyrtimi i rasteve të kandidatëve për vendet vakante për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese dhe për Inspektorin e Lartë të Drejtësisë është vendosur në përfundim të procedurave të verifikimit rigoroz dhe të thelluar të ndjekura nga Këshilli, sipas ligjit dhe standardeve tashmë të njohura e të aplikuara që kërkohen për përzgjedhjen, qenien dhe konfirmimin në detyrën e magjistratit apo anëtarit të Gjykatës Kushtetuese.
Në mënyrë të përmbledhur, në veprimet hetimore dhe procedurat e verifikimit të kandidatëve të ndjekura nga Këshilli, ndër të tjera, përfshihen:
– në lidhje me kontrollin e pasurisë, hetimi i ushtruar dhe raporti i kontrollit nga ILDKPKI, të dhënat e sjella nga me shumë se 45 institucione publike dhe subjektet private të fushës bankare, financiare, tregtare, tatimore, sigurimeve shoqerore etj., në përgjigje të kërkesave për informacion të Këshillit, si edhe shpjegimet e dokumentet shtesë të paraqitura nga kandidatët rast pas rasti në përgjigje të kërkesave të Këshillit;
– në lidhje me figurën dhe integritetin, hetimi i ushtruar dhe raportet apo përgjigjet zyrtare të dërguara nga institucionet publike si Prokuroria e Përgjithshme, Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit, të gjitha institucionet e shërbimeve informative, si edhe shpjegimet e dokumentet shtesë të paraqitura nga kandidatët rast pas rasti në përgjigje të kërkesave të Këshillit;
– në lidhje me kushtet e tjera ligjore të kandidimit, verifikimi dhe hetimi mbi dokumentacionin e kandidimit të paraqitur nga vetë kandidatët, të dhënat zyrtare të sjella nga institucione publike dhe subjekte private mbi kërkesat për informacion të Këshillit lidhur me karrierën, përformacën e kandidatëve dhe përmbushjen e detyrimeve ligjore nga ana e kandidatëve në ushtrimin e detyrave dhe funksioneve, si edhe shpjegimet e dokumentet shtesë të paraqitura nga kandidatët rast pas rasti në përgjigje të kërkesave të Këshillit.
Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, vlerëson se është rasti për të përshëndetur dhe falënderuar për përgjegjshmërinë, korrektësinë dhe shpejtësinë, në dhënien e përgjigjeve dhe sjelljen e informacioneve të plota dhe profesionale të kërkuara nga shumica dërmuese e institucioneve publike dhe subjekteve private.
Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, pasi shqyrtoi aktet dhe procedurën e ndjekur për verifikimin e kandidaturave dhe dokumentacionin e përgatitur lidhur me plotësimin e kushteve ligjore për kandidim për secilin kandidat të përcaktuar në rendin e ditës, pasi dëgjoi mendimin e përfaqësuesit të Avokatit të Popullit lidhur me procedurën e ndjekur në verifikimin e kandidaturave, vendosi:
A. Lejimin e kandidimit të kandidatëve për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese si më poshtë:
1. Arta Vorpsi, për vendin vakant të shpallur nga Presidenti i Republikës, në datën 07.02.2018;
2. Arta Vorpsi, për vendin vakant të shpallur nga Kuvendi, në datën 12.02.2018;
3. Arta Vorpsi, për vendin vakant të shpallur nga Presidenti i Republikës, në datën 04.03.2019;
4. Arta Vorpsi, për vendin vakant të shpallur nga Kuvendi, në datën 04.03.2019;
5. Besnik Muçi, për vendin vakant të shpallur nga Presidenti i Republikës, në datën 07.02.2018;
6. Besnik Muçi, për vendin vakant të shpallur nga Kuvendi, në datën 12.02.2018;
7. Besnik Muçi, për vendin vakant, vakancë e parakohshme, të shpallur nga Presidenti i Republikës, në datën 07.02.2018;
8. Fiona Papajorgji, për vendin vakant të shpallur nga Presidenti i Republikës, në datën 04.03.2019;
9. Fiona Papajorgji, për vendin vakant të shpallur nga Kuvendi, në datën 04.03.2019;
10. Regleta Panajoti, për vendin vakant të shpallur nga Presidenti i Republikës, në datën 07.02.2018;
11. Regleta Panajoti, për vendin vakant, vakancë e parakohshme, të shpallur nga Presidenti i Republikës, në datën 07.02.2018;
B. Ndalimin e kandidimit të kandidatëve për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese si më poshtë:
1. Anila Guri (Kristani), për vendin vakant të shpallur nga Kuvendi, në datën 12.02.2018;
2. Dedë Kasneci, për vendin vakant të shpallur nga Presidenti i Republikës, në datën 07.02.2018;
3. Dedë Kasneci, për vendin vakant të shpallur nga Kuvendi, në datën 12.02.2018;
4. Dedë Kasneci, për vendin vakant, vakancë e parakohshme, të shpallur nga Presidenti i Republikës, në datën 07.02.2018;
5. Ilir Mustafaj, për vendin vakant të shpallur nga Presidenti i Republikës, në datën 07.02.2018;
6. Ilir Mustafaj, për vendin vakant të shpallur nga Presidenti i Republikës, në datën 04.03.2019;
7. Ilir Mustafaj, për vendin vakant të shpallur nga Kuvendi, në datën 04.03.2019;
8. Ilir Mustafaj, për vendin vakant, vakancë e parakohshme, të shpallur nga Presidenti i Republikës, në datën 07.02.2018;
9. Mimoza Qinami, për vendin vakant të shpallur nga Presidenti i Republikës, në datën 04.03.2019;
10. Vladimir Gërmenji, për vendin vakant të shpallur nga Presidenti i Republikës, në datën 07.02.2018;
11. Vladimir Gërmenji, për vendin vakant, vakancë e parakohshme, të shpallur nga Presidenti i Republikës, në datën 07.02.2018;
C. Lejimin e kandidimit të kandidatit Artur Malaj, për vendin vakant të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.
Ç. Ndalimin e kandidimit të kandidatëve për vendin vakant të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, si më poshtë:
1. Altin Hazizaj
2. Mimoza Qinami
D. Vendimet lidhur me lejimin ose ndalimin e kandidimit të kandidates Fiona Papajorgji për vendin vakant, vakancë e parakohshme, të shpallur nga Kuvendi në datën 28.08.2018, të kandidatëve Elsa Toska dhe Gëzim Allaraj në vendet vakante për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese, si edhe për kandidaten Eris Hysi për vendin vakant të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, shtyhen për mbledhjen e radhës së Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.
Vendimet për lejimin ose ndalimin e kandidimit, do të publikohen të arsyetuara në faqen elektronike të Gjykatës së Lartë, në pjesën e caktuar për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi.