Një rast i rrallë është publikuar mbrëmjen e sotme në emisionin investigativ “BOOM”. Bëhet fjalë për historinë e një emigranti në Itali, i cili edhe pse ishte ndarë nga gruaja, Gjykata e Durrësit e ka rimartuar dy muaj pas vdekjes me ish-bashkëshorten.
Artan Lipo ishte divorcuar me të shoqen që në vitin 2003, mirëpo kur ai humb jetën në 2008-ën, ish- bashkëshortja e tij thotë se nuk është në dijeni të divorcit. Kështu Gjykata e Durrësit e martoi edhe njëherë Artan Lipon nga varri. Rastin e ka bërë me dije motra dhe nëna e të ndjerit, të cilat kanë sjellë edhe dokumentat në emision.
DENONCIMI
Një zonjë denoncoi me dokumenta se si Gjykata e Durrësit i ka “martuar” vëllain 2 muaj pasi ai ka humbur jetën në një aksident rrugor në Francë.
I ndjeri, i cili banonte në Itali, ishte divorcuar në vitin 2003 me vendim gjykate.
Në vitin 2008, Artani humb jetën dhe 2 muaj më pas ish- bashkëshortja pretendon se nuk është në dijeni të divorcit.
I ndjeri ka lënë pas një pasuri prej 300 mijë euro, një vilë në Itali dhe pension të përhershëm nga firma italiane ku punonte.
Gjykata e Durrësit e kalon në statusin e ve ish-bashkëshorten e divorcuar dhe për pasojë trashëgimtare të pasurisë së të ndjerit.
E motra e të ndjerit publikoi dy çertifikata të gjendjes civile që kundërshtojnë njëra-tjetrën.
Ky dokument i dorëzuar për efekt pasaporte në shtetin italian tregon qartë se Shegsh Ballhysa ka qenë në dijeni se është e divorcuar që në vitin 2004.
Familjarët shprehen për absurdin e vendimit të gjykatave, pasi ato nuk i kanë lejuar të jenë palë në gjykim.
Gjykata rimarton një të vdekur, ndërsa të gjallët e kësaj historie dramatike vijojne të vuajnë humbjen e të afërmit të tyre dhe ballafaqimin me absurdin në gjykatë.
Ata kanë paditur ish-bashkeshorten e të afërmit të tyre për mashtrim dhe ndërkohë janë duke ndjekur dhe një gjyq për trashëgiminë e tij.
Denoncimi i motrës së viktimës
Anila Lipo: Nëntë vjet përpara në 2008 humb vëllain në një aksident rrugor, punonte si shofer kamionësh në Francë. Aty nis gjithë historia më pas. Vëllai im në vitin 1996 ka qenë i martuar me Shegush Ballhysën dhe në 2003 janë divorcuar. Ka qenë vetë prezent vëllai im në seancën e parë dhe në seancat e tjera e ka përfaqësuar avokati përkatës me prokurë sepse vëllai im u desh të shkonte në Itali. Në 2004, vëllai im lidh martesën me një zonjë tjetër dhe në 2006 për arsye të tjera u ndanë prapë me vendim gjykate. Në 2008 vëllai im humb jetën dhe ngaqë ishte në punë, sigurimet shoqërore i takonte të merrte një shumë parash. Zonja në fjalë, ish-gruaja e parë Shegushe Ballhysa në janar të 2009, vëllai vdiq në nëntor të 2008, zonja vjen në janar të 2009 dhe kërkon rivendosjen në afat për zgjidhjen e martesës që ishte bërë 5 vjet më parë duke pretenduar se nuk ka qenë në dijeni.
Gjyqtari në prag pensioni ktheu çështjen në afat
Anila Lipo: Gjyqtari i asaj kohe Faslli Çekaj pak ditë para se të dilte në pension e rivendos në afat pa kërkuar asnjë lloj të dhënë, nëse vëllai im ishte martuar prapë, a kishte fëmijë? Të paktën të merrte një nga dëshmitarët, ose një njoftim të familjes që të mbronte të drejtat e vëllait tim. Kjo është shkelja e parë që është bërë. Sepse pas gjithë këtyre viteve, se kam nëntë vjet që ndjek pas këto gjyqe, është jashtë rregullave ligjore që të zhvillohet një çështje zgjidhje martese pasi ka vdekur personi. Nuk është se ishin në çështjen gjyqësore dhe vdiq në këto seanca, ai e kishte mbyllur si çështje. Ishte rimartuar, ishte ridivorcuar dhe kthehet Faslli Çeka dhe e rivendos në afat.
Apeli nuk pranoi familjen si palë në seancën e rimartesës
Anila Lipo: Kur na njoftuan, ne kërkuam të hynim palë. Nuk na pranon Apeli palë sepse ligji thotë që në zgjedhjen e martesës nuk pranohen persona të tretë, vetëm çifti.
Gazetarja: Ndërkohë që pranohet çifti, vëllai juaj nuk jetonte më?
Anila Lipo: Pikërisht kjo ishte ajo e madhja që bëri një bum të madh. Jam dakord që në zgjidhjen e martesës nuk pranohen persona të tretë, por vëllai im ishte i vdekur, me kë e bënë gjyqin, me kë e zgjidhën martesën? Si e lanë në fuqi vendimin e Faslli Çekës, rivendosjen në afat pas 5 vjetëve, pas një martese të dytë dhe rimartojnë vëllain im për së dyti pas vdekjes kur ai ka qenë vetë prezent dhe kërkuar nga ai vetë divorcimi me këtë grua. Sa ishte gjallë kërkoi të divorcohet. Pas vdekjes së tij, për përfitimet që do merrte nga siguracionet, shtëpia e vëllait, pensioni etj, u joshën si duket nga shuma dhe vendosën pa marrë parasysh asnjë gjë. Dhe pse vëllai im ishte i vdekur, ne si palë, prindërit e mi si trashëgimtarë të birit të vet a nuk kishin të drejtë të mbronin interesat e djalit? Kjo është një pikëpytje e madhe që unë akoma nuk kam gjetur zgjidhje. Japin vendim të formës së prerë, duke lënë në fuqi vendimin e Faslli Çekës. Me vendim të formës së prerë, zonja të shkojë në gjendjen civile të deklarohet e veja e Artan Lipos.
Gazetarja: Gjykata rimartoi vëllain tënd pa qenë prezent?
Anila Lipo: Kjo është. Vëllai im sa ishte gjallë kërkoi të divorcohet dhe gjykatat e rimartojnë të vdekur. Shkoj në gjendje civile dhe dokumentat që unë ju tregoj figurojnë, zonja kthehet në status civil e veja e Artan Lipos dhe çertifikata e vdekjes së Artan Lipos shkruan i divorcuar.
Apeli i motrës së viktimës: Ma lini vëllain e qetë, ish-gruaja po mashtron!
Anila Lipo: Të ma lënë vëllain të qetë, babai më vdiq me atë merak, mamaja ime ka një hall që ka ai djali, e qan çdo ditë me gjyqet që e sorollasin poshtë dhe lart. Nuk kërkoj asgjë tjetër. Vetëm drejtësi dhe të përfundojmë se nuk kemi më durim. Dokumentat janë të mjaftueshme për të treguar se zonja po mashtron.
Këtë deklaratë motra e të ndjerit e bazon në një dokument të lëshuar për efekt të paisjes me pasaportë të vitit 2004. Aty shkruhet qartësisht se ish-bashkëshorja e Artan Lipos është e divorcuar.
Anila Lipo: Është në dijeni të të gjithë seancës gjyqësore që është bërë, divorcit që është bërë, thjesht po mashtron të përfitojë atë shumë. Vitin që vjen unë vëllain do ta sjell në Shqipëri se janë akoma në Itali. Duhen 10 vjet që të hiqen kockat atje, kur ta sjell këtu në vend të vet, ta sjell të qetë.
Xhavite Lipo: Unë dua nga drejtësia shqiptare të shihen dokumentat, sipas dokumentave dua të ketë një zgjidhje. Ne na iku djali, drejtësia mori rrugë tjetër. Unë dua drejtësinë sipas dokumentave, nuk dua asnjë privilegj. Kjo sorollatje më duket biznes.
Gazetarja e BOOM telefonon ish-gjykatësin që rihapi çështjen
Gazetarja: Kam në dorë një vendim gjykate në kohën që ju keni qenë gjykatës.
Ish-gjyqtari Faslli Çeka: Ëhë..
Gazetarja: Keni shqyrtuar një çështje. Ka qenë një vendim i 2003, ku një person ka qenë i divorcuar dhe ju keni rrëzuar këtë kërkesë të gjykatëses pararendëse dhe ky person rezulton i martuar pas vdekjes vetëm për këtë vendim që ju keni dhënë.
Ish-gjyqtari Faslli Çeka:Unë nuk e kam parasysh vendimin konkret që ju keni aty.
Gazetarja: Në fakt është fiks një javë para se të linit detyrën tuaj si gjykatës e keni dhënë këtë vendim.
Ish-gjyqtari Faslli Çeka: Në respektin tuaj tani, unë po se pata vendimin parasysh, se është fjala që është bërë para 10 vitesh, se kam parasysh.
Gazetarja: Mund ta lexoj unë ose mund të takohemi bashkë dhe ta shikosh.
Ish-gjyqtari Faslli Çeka: Kur të duash ti, ku je ti në Durrës apo në Tiranë?
Gazetarja: Jam në Durrës aktualisht.
Ish-gjyqtari Faslli Çeka: Po unë mund të takohem ditën e hënë, kur të duash ti, pa asnjë problem.
Gazetarja: Mund të takohemi bashkë të hënën, të vij këtu tek zyra juaj?
Ish-gjyqtari Faslli Çeka: Po medeomos, kur të duash.
PAS DY DITËSH
Skandali në “BOOM”, Gjykata e Durrësit “rimarton” emigrantin 2 muaj pas vdekjes
Ish-gjyqtari Faslli Çeka: Janë organe të tjera që e kanë shqyrtuar, shkalla e dytë, Gjykata e Lartë.
Gazetarja: Ju u keni dhënë mundësi këtyre gjykatave që ta rishqyrtojnë këtë çështje.
Ish-gjyqtari Faslli Çeka: Po medeomos, se shiko e drejta për tu ankuar ndaj një vendimi gjykate është e drejtë.
Gazetarja: Po më fal të lutem, ajo zonja ka 5 vjet që ishte divorcuar nga burri dhe i shoqi ishte martuar përsëri, atëherë ju si i thoni që…
Ish-gjyqtari Faslli Çeka: Ajo është ankuar ndaj një vendimi të gjykatës, i kemi dhënë të drejtë për tu ankuar.
Gazetarja: Ju pse i dhatë ok që kjo çështje të vazhdonte?
Ish-gjyqtari Faslli Çeka: Të lutem tani, unë të respektoj, ti këmbëngul.
Gazetarja: Nuk mund të hapet një gjyq kur një person ka vdekur dhe ju thoni që kjo zonjë nuk e dinte se ishte divorcuar.
Ish-gjyqtari Faslli Çeka: Ka një vendim gjykate, ai ka të drejtë të ankohet.
Gazetarja: Si mund të ankohet një i vdekur?
Ish-gjyqtari Faslli Çeka: Është parim absolut, gjyqtari për vendimin që jep nuk flet, nuk mundet me fol. Gjykata është Perëndi.
Gazetarja: Ju më premtuat që do më takonit, prandaj ju mora në telefon. Mendova që do të mbanit fjalën, më thatë që hajde më tako.
Ish-gjyqtari Faslli Çeka: Unë e mbaj fjalën kur fjala duhet me u mbajt. (D.D/Shuplaka)