Shqipëria vuan nga nivele të larta të informalitetit ne tregun e punës, por fenomeni në vend të ngushtohet po zgjerohet me tej sipas të dhënave zyrtare nga INSTAT.
Në vitin 2022 përqindja e punësimit informal në sektorin jo-bujqësor është 28,2%, duke pësuar një rritje me 1,2 pikë përqindje krahasuar me vitin 2021, raportohet në publikimin e fundit “Shqipëria në shifra 2022”.
Treguesit e punësimit janë përmirësuar më tej gjatë vitit të kaluar, por punësimi pa pagë në biznesin e familjes është zgjeruar shumë më tepër se punësimi me pagë.
Në Anketën e Forcës së Punës, që mat treguesin zyrtar të punësimit, konsiderohen si të punësuar edhe personat që janë të angazhuar në bizneset e familjes, por që nuk paguhen.
Në vitin 2022 u raportuan 279,542 të punësuar në biznesin e familjes pa pagë, ose 28 mijë persona më shumë se në vitin 2021.
Nga ana tjetër, numri i të punësuarve me pagë arriti në 610,774 persona më 2022 ose 12, 898 persona më shumë se në vitin 2021.
Siç shihet punësimi pa pagë është rritur dy herë më shumë se punësimi me pagë dhe është kontribuuesi më madh në rritjen e punësimit vitin e kaluar.
Të vetë-punësuarit pa pagë në bizneset e familjes përbëjnë 20% të totalit të punësimit dhe bëjnë pjesë në kategorinë e vetëpunësimit. Numri i personave të vetëpunësuar arriti në rreth 408 mijë në vitin 2022, por shumica e tyre rreth 68% ishin të punësuar pa pagë.
Sipas vlerësimeve të anketës për vitin 2022, rezulton se për grup-moshën 15 vjeç e lart, 47,0% e të punësuarve janë të punësuar me pagë, 31,5% janë të vetë-punësuar (punëdhënës ose të vetëpunësuar pa të punësuar të tjerë) dhe 21,5% janë punëtorë pa pagesë në biznesin e familjes
Krahasuar me vitin 2021, punësimi është rritur me 3,0%, ndërsa shkalla e papunësisë për grup-moshën 15-74 vjeç është ulur me 0,6 pikë përqindje gjatë vitit të kaluar.
Rreth 65,0% e popullsisë 15-64 vjeç është e punësuar, 8,2% është e papunë dhe 26,8% është ekonomikisht jo aktive (jashtë forcave të punës).
Të rinjtë e grup-moshës 15-29 vjeç të cilët nuk janë as në punësim e as duke vazhduar shkollën apo ndonjë trajnim përbëjnë 25,2 % të të rinjve gjithsej për vitin 2022./MONITOR