Kush do të vijë si punëtor i kualifikuar në Gjermani duhet të kalojë disa pengesa. Njëra prej tyre – njohja e shkollimit profesional. Por edhe këtu vlen – informim i saktë tek autoritetet para hapave të tjerë.
Deutsche Welle: Tanimë ka filluar nga puna qendra e re e njohjes së shkollimit profesional (Zentrale Servicestelle Berufsanerkennung)për fuqinë e huaj punëtore. Synimi i saj është të përshpejtojë procedurat, si po bëhet kjo?
Michael van der Cammen: Nëse një procedurë e njohjes së shkollimit përshpejtohet apo jo, kjo varet nga disa faktorë, për shembull nëse janë paraqitur të gjitha dokumentet e kërkuara për njohjen si edhe përkthimet e tyre. Qendra e Shërbimit për Njohjen e Shkollimit Profesional ofron edhe një këshillim personal të thelluar para shtrimit të kërkesës për njohjen e shkollimit dhe ndihmon me sqarime, se cilat dokumente duhen dhe bën një verifkim paraprak. Nëse dëshirohet pastaj, ne i dërgojmë dokumentet tek qendra e njohjes më tej. Ky hap paraprak ndihmës dhe shoqërimi që i bëhet procesit të njohjes së shkollimit dhe vizës nga specialistët është harmonizuar me landet dhe instanca të tjera përgjegjëse. Kjo me qëllim që kërkesat nga punëtorë të kualifikuar të përpunohen më shpejt e më me efektivitet se deri tani.
Punëtorë të kualifikuar nga vendet e treta (jashtë BE shën. red.) kanë nevojë parimisht për një vend pune dhe njohjen e plotë të shkollimit të bërë në vendin origjinë. Nëse nuk i zotëron këto të dyja, atëherë ka edhe mundësi të tjera. Nëse bëhet një njohje e pjesshme e shkollimit, ekziston mundësia e ardhjes në Gjermani dhe kërkimit të një punëdhënësi këtu. Brenda 18 muajve pastaj duhet kryer tek punëdhënësi i ri kualifikimi shtesë me objektiv njohjen e plotë. Që nga futja e ligjit për fuqinë e kualifikuar punëtore më 1 mars mjafton për këtë një telefonatë apo E-Mail në portalin tonë Hotline „Arbeiten und Leben in Deutschland” – Të punosh e jetosh në Gjermani.
Për më shumë ndiqni: https://www.make-it-in-germany.com/de/ueber-das-portal/kontakt/hotline/
Si veprohet konkretisht për njohjen e diplomës apo shkollimeve të tjera nga vendet e Ballkanit Perëndimor, cilat dokumente duhet të sjellë i interesuari?
Shkollimet profesionale nga vende të tjera krahasohen me kërkesat përkatëse profesionale ekzistuese në Gjermani (i ashtuquajturi profesion referencial). Për këtë krahasohen me njëra-tjetrën për shembull kohëzgjatja e shkollimit (sa orë teorike dhe/ose sa orë praktike janë kryer). Për krahasimin e diplomave profesionale merret mendimi i ekspertëve në fushat përkatëse (psh. Dhoma e Mjekëve apo Dhoma e Zanatit Profesional). Rezultatet e konkluzioneve të tyre ruhen në database që të përdoren për kërkesat e reja. Si rregull aty kanë qasje vetëm ekspertët, prandaj Agjencia Federale e Punës nuk mund të bëjë pohime, se si janë vlerësuar deri më tani certifikatat e diplomat profesionale që vijnë nga Ballkani Perëndimor.
Lidhur me dokumentet: Me ligjin e ri të fuqisë punëtore të kualifikuar janë thjeshtësuar dëshmitë për njohjen profesionale. Tani nuk ka nevojë më të sillen dokumentet origjinale. Mjaftojnë kopjet e dokumenteve. Megjithatë edhe më tej mund të kërkohen dokumentet origjinale, sidomos kur ka dyshime, që dokumentet janë të fallsifikuara.
Kush kërkon të njohë diplomën apo shkollimin e bërë, duhet ta nisë njëherë me këtë hap, pastaj të fillojë procedurën e vizës?
Personat e huaj që e bëjnë nga jashtë kërkesën për njohjen e shkollimit profesional marrin mbështetje nga Qendra e Shërbimit për Njohjen e Shkollimit Profesional. Kjo njësi është e krijuar enkas për të ndihmuar të interesuarit në rrugën e imigrimit profesional drejt Gjermanisë. Para shtrimit të kërkesës është shumë e këshillueshme të konsultohesh njëherë. Sepse duhet vendosur për çdo rast më vete, nëse ka kuptim një procedurë e njohjes së shkollimit apo jo. E kjo ka rëndësi më tej pastaj, për të aplikuar për llojin e vizës. Pas kësaj mund të vendoset, se cila rrugë është më e mira.
Sa kohë marrin këto procedura verifikimi?
Verifikimi i barasvlershmërisë së kualifikimit profesional nuk duhet të zgjasë më shumë se tre muaj. Por koha fillon e llogaritet, vetëm kur janë mbi tryezë të gjitha dokumentet e kërkuara. Në raste të komplikuara autoritetet mund të kenë nevojë për më shumë kohë. Pas marrjes së një njohjeje të plotë apo të pjesshme, aplikuesi merr kontakt me ambasadën në vend. Ministria e Jashtme gjermane ka krijuar me hyrjen në fuqi të ligjit për fuqinë e kualifikuar punëtore më 1 Mars struktura të posaçme për të përshpejtuar procedurën e vizës.
Ku qëndrojnë vështirësitë në të gjithë këtë proces?
Pengesa eventuale ka në përkthimin e dokumenteve, kur një instancë përkatëse kërkon dokumentet në origjinal, por edhe në marrjen përsipër të shpenzimeve për punën e investuar nga një autoritet përkatës. Shpenzimet për njohjen e shkollimit profesional i paguan vetë i interesuari. Në disa raste procedurën e paguan punëdhënësi i ardhshëm, kur ky është i gatshëm të marrë përsipër ato. Por se çfarë dokumentesh pranohen varet nga autoriteti përkatës dhe listohet në kërkesat e aplikimit. Kostoja për njohjen e shkollimit varion. Për shembull vetëm tarifat lëvizin nga 500-600 euro. Këtu personit i shtohen edhe shpenzimet për përkthimin dhe kurset e gjermanishtes eventualisht. Shuma përfundimtare është e ndryshe individualisht.
A ka ardhur ndërkohë një valë kërkesash?
Kërkesat neve na vijnë përmes portalit Hotline „Leben und Arbeiten in Deutschland”. Në shkurt të këtij viti kemi filluar dhe kemi ndërkohë 250 kërkesa për njohjen e kualifikimit. Për ata që kanë interes të punojnë si punëtorë të kualifikuar në Gjermani, rekomandojmë edhe portalin e internetit „Make it in Germany”. Ose na shkruani një E-Mail në [email protected] apo edhe telefononi në linjën hotline +49 30 1815 – 1111. Thoni aty, se dëshironi të jetoni e punoni në Gjermani dhe nëse keni një shkollim profesional, keni nevojë për mbështetje në njohjen e këtij shkollimi.
Michael van der Cammen është drejtues i Departamentit Ndërkombëtar – Strategjia 2025 – Ne Sigurojmë Fuqi Punëtore në Qendrën e Agjencisë Federale të Punës në Gjermani.