Bashkia e Tiranës ka nisur sot punimet në një nga hyrjet kryesore të Tiranës, ajo që lidh kryeqytetin me veriun e Shqipërisë, një investim që mungon prej gati 15 vitesh.
Investimi do të bëhet nga mbikalimi i “ Casa Italia” deri në kufijtë administrativë të Bashkisë së Kamzës, ky segment do të pajiset me ndriçim të ri dhe me barriera anësore metalike që do të mundësojnë më shumë siguri si për makinat ashtu edhe për këmbësorët.
Këto punime janë inspektuar sot nga kryebashkiaku Veliaj, i cili u shpreh mjaft entuziast për këtë projekt të ri dhe ky investim do t’i japë një tjetër pamje dinjitoze një prej hyrjeve kryesore të kryeqytetit.
“Jam shumë entuziast sepse po fillojmë një projekt të ri, është hyrja veriore e Tiranës. Siç e keni parë, disa hyrje të Tiranës janë stabilizuar, hyrja nga rruga “Dritan Hoxha” dhe hyrja nga rruga e Elbasanit është sot në një situatë shumë më të mirë dhe ka shumë estetikë, ka shumë më pastërti, sinjalistikë dhe ndriçim në këto dy hyrje.
Për këtë vit kemi planifikuar dy hyrje të tjera, hyrja nga Kamza dhe hyrja nga Kombinati. Sot fillojmë punën e hyrjes nga veriu, që është hyrja nga Kamza, besoj që jo vetëm është një hyrje dinjitoze për Tiranën, por është ndoshta kontrasti më i madh sesi menaxhohet Tirana dhe si menaxhohet Kamza”, u shpreh Veliaj.
Duke folur për ndryshimet që do bëhen, Veliaj u shpreh se pak nga pak so të krijonte “Tiranën e Endrrave”.
“Zona do të ketë 115 shtylla, 210 ndriçues, 3 km urbanizim me sinjalistikë, me kanale të ujërave të zeza, me infrastrukturën e nevojshme për këmbësorët, do të kthejmë disa ishuj si ky ku jemi, në mini-parqe të vogla për komunitetin, për të moshuarit që duan të pushojnë apo fëmijët që duan të luajnë dhe unë besoj që deri në 18 qershor, por dhe përtej, do tregojmë siç kemi treguar këtë vit, që vetëm puna dhe jo fjalët janë ato që na çojnë përpara. Ndaj, i them të gjithë kolegëve forca, me shumë energji të reja për të bërë Tiranën e ëndrrave tona çdo ditë nga pak”, tha Veliaj.
Në këto nisje punimesh mori pjesë edhe deputeti i Partisë Socialiste Rakip Suli, i cili pranoi se kjo rrygë ishte kthyer prej kohësh në një burim aksidentesh.
“Tek ura e Institutit Bujqësor ka pasur disa aksidente sepse nuk ka pasur fare ndriçim. Pas këtij investimi jam i sigurt që do të shmangen këto aksidente dhe nuk do të ketë më aksidente ku janë marrë dhe jetë njerëzish. Veç këtij investimi, njësia 11 është kthyer në një kantier ndërtimi prej 2 vitesh. Po të numërojmë investimet janë pa fund. Unë do të falënderoja kryetarin e Bashkisë së Tiranës që njësinë 11, jo thjesht e ka parë me syrin e Kryetarit, por që ka prekur çdo problematikë që është e prekshme për çdo qytetar të kësaj njësie”, u shpreh Suli. (K.P/Shuplaka)