Vetëm pak ditë më parë nga ana e Bashkisë Sarandë u dha sihariqi i madh se në Bulevard u shtrua shtresa e parë e betonit, mbi të cilën do të shtroheshin dhe pllakat. Saranda Web shkruan se këto punime iu prezantuan edhe supervizorit, i cili është interesuar edhe për kanalizimet e ujërave të bardha dhe të zeza.
Supervizori është shokuar kur ka dëgjuar se kanalizimet nuk janë bërë, dhe se vendosja e tubacioneve do të kryhet në një fazë të mëvonshme, për kryerjen e të cilave Bulevardi do të “shqepet” përsëri. Me duart në kokë, supervizori francez është rrotulluar disa herë rreth vetes, pasi nuk i besoi ajo që kishte dëgjuar.
Më pas, kur supervizori është përmendur, ka urdhëruar ndërprerjen e punimeve për shtresën e betonizimit dhe vendosjen e pllakave, pa u shtruar më parë rrjeti i kanalizimeve. Kryebashkiaku Ardian Gurma, gjatë takimit me biznesin, kishte premtuar se punimet do të përfundonin deri në datën 20 qershor.