Presidenti rus Vladimir Putin, tha të mërkurën se Rusia mund të përdorë armët bërthamore nëse kërcënohet sovraniteti i saj. “Nëse veprimet e dikujt kërcënojnë sovranitetin dhe tërësinë tonë tokësore, ne e konsiderojmë të mundur përdorimin e të gjitha mjeteve që kemi në dispozicion”, tha presidenti Putin, duke cituar atë që ai tha se është politika e sigurisë së vendit të tij.
“Për ndonjë arsye, ata në Perëndim besojnë se Rusia nuk do t’i përdorë kurrë ato”, i tha presidenti Putin një grupi gazetarësh ndërkombëtarë, duke shtuar se arsenali bërthamor i Rusisë është shumë më i fuqishëm se ai që përdorën Shtetet e Bashkuara në Hiroshima dhe Nagasaki në Japoni, gjatë Luftës së Dytë Botërore. Udhëheqësi rus foli për më shumë se tre orë me gazetarët e agjencive ndërkombëtare të lajmeve, përgjatë punimeve të Forumit Ekonomik Ndërkombëtar të Shën Petersburgut.