Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka dhënë së fundmi një sugjerim për amerikanët se si të sulmojnë Rusinë. Sipas Trump, ata duhet që të mbulojnë avionët luftarakë me flamuj kinezë dhe të sulmojnë Rusinë.
Ish-presidenti amerikan është shprehur më pas se kjo do t’i shtyjë rusët dhe kinezët që të luftojnë njëri-tjetrin.
Duke iu drejtuar donatorëve kryesorë të Komitetit Kombëtar Republikan mbrëmë në New Orleans, Trump iu referua sërish luftës mes Rusisë dhe Ukrainës.
“Dhe pastaj ne themi, Kina e bëri atë, ne jo. Pastaj ata fillojnë të debatojnë me njëri-tjetrin dhe ne ulemi e shikojmë”, shtoi Trump.
“Nën Bush, Rusia pushtoi Gjeorgjinë. Nën Obamën, Rusia pushtoi Krimenë dhe nën Biden, Rusia pushtoi Ukrainën. Unë mbeta i vetmi president i SHBA-së në shekullin XXI që Rusia nuk sulmoi askënd”, përfundoi ai.
Kështu që Trump parashtroi idenë se do të ishte mirë që SHBA-ja të maskonte avionët luftarakë F-22 me flamuj kinezë dhe të bombardonte “m… rus”, sipas një audio-regjistrimi të publikuar nga gazetari i “Washington Post”, Josh Dawsey.
Në prag të sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës, Trump lavdëroi Vladimir Putinin, duke e quajtur atë një gjeni, e cila gjë shkaktoi reagime të ashpra tek demokratët dhe disa republikanë të shquar.