Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të fundit që homologu i tij rus, Vladimir Putin bëri lidhur me luftën në Ukrainë.
Vladimir Putin propozoi sot “një duel të teknologjisë së lartë” midis raketës së re balistike hipersonike të Rusisë dhe sistemeve të mbrojtjes raketore amerikane.
Në një konferencë vjetore për shtyp në Moskë, ai sugjeroi të dyja palët të zgjedhin një objektiv të caktuar për t’u mbrojtur nga raketat amerikane.
Rusia lançoi për herë të parë raketën Oreshnik në qytetin ukrainas Dnipro më 21 nëntor, në atë që Putin e cilësoi si përgjigje ndaj përdorimit të parë të raketave amerikane dhe britanike nga Ukraina për të goditur territorin rus me lejen perëndimore.
“Nuk ka asnjë shans për të rrëzuar këto raketa”, tha Putin.
Lidhur me këtë Zelensky sot nga Brukseli ku ndodhet në mbledhjen e Këshillit Evropian, cilësoi Putinin si një “person bastard”, raporton Sky News.
“Sot, një shok nga Kremlini tha se Rusia po ofron një “duel teknologjik”…. A mendoni se ky është një person me karakter? Ai është thjesht një bastard, një i poshtër, një psikopat”, tha Zelensky në mënyrë karakteristike.
Më tej Zelensky theksoi se Ukrainës i duhen edhe 19 sisteme të tjera të mbrojtjes ajrore për të mbrojtur infrastrukturën energjetike, veçanërisht termocentralet bërthamore, nga raketat ruse.
“Prioriteti ynë është mbrojtja ajrore, përmbushja e marrëveshjeve me partnerët, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara, për t’i siguruar Ukrainës sistemet e nevojshme. Ne kemi nevojë për 19 sisteme të tjera për të mbrojtur infrastrukturën energjetike, veçanërisht termocentralet bërthamore, nga raketat ruse ”, vuri në dukje Zelensky.