Kryeministri Rama është acaruar me njërin nga gazetarët kosovarë në konferencën për mediat që mbajti me homologun e tij Haradinaj. Gazetari e pyeti Ramën për qëndimin e tij rreth “marrëveshjes për ndarjen e Kosovës”, por në pyetjen e bërë ai i kujtoi Ramës deklarat e tij kur kishte kritikuar Haradinajn se kishte bërë “shumë gabim” në lidhje me demarkacionin me Malin e Zi.
Rama këtu ndërhyri duke iu kthyer me një ton të ashpër gazetarit duke i thënë: “Ku e dëgjove ti, apo në kazan, shko në kazan dhe fol qa të dush, por jam unë këtu, unë këtu jam. Këtu jam përballë po deshe hajde të më prekësh të më kuptosh”.
Më tej kryeministri u përgjigj edhe për deklaratën e ministrit të Financave i cili ishte shprehur se Kosova duhet ta mendojë mirë taksën ndaj Serbisë.
Rama tha se Ahmetaj nuk ka pse të pendohet për këtë deklaratë pasi ka folur në terma ekonomikë dhe në këtë pikëpamje tarifat nuk janë të shëndetshme, por Rama shtoi se në këtë rast bëhej fjalë për reagim politik dhe ky vendim i Kosovës është i drejtë.
“Ministri Ahmetaj nuk ka për cfarëe të pendohet, ka thënë se për ekonominë tarifat janë të pashëndetshme, por ajo që kam thënë dhe e përsëris është se këtu nuk jemi në kuadrin e një lufte tregtare është një reagim politik”, deklaroi ai.
Sa i përket çështjes së marrëveshjes së Kosovës me Serbinë, Rama tha se duhet të shihet me një vizion strategjik. (B.H/Faxweb)