Pas ngjarjes së mbrëmshme, ku punonjësi i SHKB-së Kleant Musabelliu plagosi me armën e shërbimit një bisnesmen, institucioni ka marrë masa.
Drejtori i Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve, Denion Meidani e ka pezulluar nga puna Musabelliun, i cili qëlloi me armën e punës biznesmenin Palulin Gjoka. Sakaq, Meidani i ka propozuar ministres së Drejtësisë edhe shkarkimin e tij.
Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmë rreth orës 21:00, para një lokali te “Pazari i Ri”, në kryeqytet.
Ish-pronari i shoqërisë “Rozafa”, i cili aktualisht ka në pronësi një hotel në Tiranë, ka debatuar me Musabelliun në ambientet e lokalit dhe i ka kërkuar të diskutojnë jashtë për të qetësuar situatën.
Mirëpo ky i fundit e ka qëlluar me armë zjarri duke e lënë të plagosur.
“Rreth orës 21:00, në zonën e ‘Pazarit të Ri’, shtetasi Kleant Musabelliu, 43 vjeç, me detyrë specialist i SHKBsë së burgjeve në Drejtorinë e Përgjithshme, ka plagosur me armë zjarri shtetasin Pëllumb Gjoka, 46 vjeç, i cili është qëlluar në pjesën e këmbës dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Nga hetimet e deritanishme mësohet se djemtë e shtetasve të sipërpërmendur janë konfliktuar me njëritjetrin dhe shtetasit e më- sipërm ishin takuar në zonën e ‘Pazarit të Ri’ për të biseduar në lidhje me konfliktin e ndodhur midis fëmijëve të tyre”, tha Policia e Tiranës një ditë më parë. (D.D/Shuplaka)