Një plagosje me armë zjarri është shënuar ditën e sotme në qytetin e Shkodrës, ku e plagosur ka mbetur një shtetase, shitëse e një dyqani në qytet.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 12:30 në vendin e quajtur “Rus” pranë Shkollës së Muzikës në lagjen “Fahri Ramadani” ku dy persona të armatosur kanë qëlluar me armë zjarri dhe kanë plagosur një shitëse dyqani.
Nga informacionet paraprake të policisë, mësohet se dy personat e armatosur kanë qenë duke lëvizur me motocikletë kur kanë qëlluar. Për pasojë ka mbetur e plagosur shtëtësja e identifikuar si Flutura Muça 49 vjeçe, banuese në lagjen Partizani, Shkodër.
Ajo është transportuar në spitalin Rajonal të Shkodrës, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Mësohet se janë ngritur pika kontrolli për identifikimin dhe kapjen e autorëve dhe vendosjen e përpara përgjegjësisë. (XH.A/SHUPLAKA)